Profesori i socialistëve, Servet Pëllumbi, në librin e tij “Pluralizimi i dytë” flet edhe për mbledhjen e Asamblesë së PS pas zgjedhjeve të 21 qershorit 2015.
Ajo mbledhje u karakterizua nga debati mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit Ben Blushi.
Ky i fundit këmbëngulte në mbajtjen e zgjedhjeve në parti, ndërkohë që mbështetësit e Edi Ramës e tolerojnë atë, duke thënë se ka fituar zgjedhjet si kryeministër.
Sipas Pëllumbit, Blushi kishte një kërkesë ultimative “që të mos bëhet asnjë hap më tej pa zgjedhur kryetarin, se votat për kryeministër nuk mund të zëvendësojnë votat partiake”.
Në pjesën e librit, zbardhur nga Panorama, Pëllumbi thekson: “Sipas Blushit, fituesi në popull qenka humbës në parti, dhe prandaj Edi Rama i dredhon demokracisë në parti, duke shkelur rëndë statutin”.
Sipas profesorit të PS, gjatë Asamblesë u arrit të shmanget një ndarje e re e PS.
“Realisht pritej përplasje mes palëve që reduktohej në “përplasjen Rama-Blushi”, pra midis “autoritaristëve” (grupi Rama) dhe “demokratikëve” (grupi ende i pashpallur i Blushit). Ky ishte drejtimi që mori fillimisht mbledhja e Asamblesë dhe pritej nga disa në PS, e sidomos jashtë saj, deri edhe një ndarje e re në PS. Në të vërtetë një mundësi e tillë u evitua dhe përmes debateve ku në fund u arrit që të miratoheshin me unanimitet të shtatë projektvendimet e paraqitura për reformimin e partisë dhe kapërcimin e ngërçit të krijuar në lidhje me demokracinë e brendshme në PS”.
Fjala e vetë Pëllumbit në këtë Asamble pati rëndësi të madhe dhe ai sugjeroi që “PS pa dyshim duhet të jetë një parti me rregulla, me program e statut, por që këto duhet të jenë dinamike dhe jo të ngurtësuara”.