Gjatë vizitës së punës në Berlin, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitete të politikës gjermane.
Fillimisht Meta u prit në një takim nga Sekretari i Përgjithshëm i CSU-se, Andreas Scheuer, me të cilin diskutoi forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe veçanërisht mes Shqipërisë dhe Landit të Bavarisë.
Gjatë takimit, Meta theksoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bavarisë kanë një traditë të hershme të nisur me vizitat e ish-kryeministrit Shtraus në vitet ‘80 dhe të forcuara në vite.
Scheuer vlerësoi rëndësinë që ka Shqipëria në rajon si një faktor i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin e tij dhe theksoi se Landi i Bavarisë ka një interes të veçantë për Ballkanin në këndvështrim edhe të procesit të Berlinit dhe interes në rritje të bizneseve bavareze për të investuar në Shqipëri.
Kryetari i Kuvendit zhvilloi një takim me Zëdhënësin për Politikë të Brendshme të grupit CDU/CSU në parlamentin gjerman, Stephan Mayer, me të cilin diskutuan për situatën e sigurisë dhe krizën e refugjatëve.
Gjatë takimit, Meta e informoi për masat që ka marrë Shqipëria për dekurajimin e emigracionit ilegal në drejtim të Gjermanisë dhe e falënderoi për bashkëpunimin mes agjencive të zbatimit të ligjit të dy vendeve.
Mayer e falënderoi z. Meta për gatishmërinë dhe masat e mara nga Shqipëria për të frenuar këtë fenomen, si dhe për kontributin në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Meta u takua edhe me Joachim Pfeiffer, zëdhënës i grupit CDU/CSU për Ekonominë dhe Energjinë; Olav Gutting, anëtar i Komisionit Parlamentar për Financat dhe me deputetin e SPD-së, Dietmar Nietan (SPD), anëtar i Komisionit të Politikës së Jashtme.