Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi mazhorancën se refuzoi hetimin ndërkombëtar për aferën e ÇEZ.
Në një dalje për mediat Basha reagoi edhe për buxhetin që u miratua mbrëmë duke u shprehur se do të rëndojë edhe më shumë në ekonominë e vendit.
Prandaj ai i ftoi të dalin të gjithë në protestë kundër kësaj qeverie.
Basha: “Do ta kundërshtojmë me të gjitha mjetet institucionale dhe ligjore parashikimin për burg që votuan dje hajdutët më të mëdhenj të historisë 25 vjeçare të Shqipërisë. Ne po kështu do të kundërshtojmë më të gjithë forcën tonë shpronësimin e dytë të pronarëve, ligjin absurd që kaluan dje bijtë politik të atyre që 50-60 vite më parë shpronësuan në kushte të terrorit qytetarët shqiptarë nga të drejtat e tyre legjitime.
Por sot përfitoj nga rasti t’iu bëj thirrje shqiptarëve pa dallim bindjesh politike e t’iu them të bashkohemi me 8 dhjetor njësoj si para 25 viteve. Përballë nesh është një grusht, një klikë e korruptuar që me buxhetin e vitit 2016 premton vdekjen përfundimtare të ekonomisë kombëtare, rrokullisjen në humnerë të fatit të mijëra e mijëra kryefamiljarëve që do të humbin vendet e tyre të punës duke filluar nga javët e para të muajit janar si rezultat i një buxheti represiv që takson më shumë dhe jep më pak.
Ju them studentëve, mbështetjen e të cilëve në këtë protestë e konsideroj edhe dallëndyshen e parë të fitores së protestës. Se me 8 dhjetor do të protestojmë edhe për ligjin absurd për arsimin e lartë dhe sëbashku do të hedhim hapin e parë për zhvlerësimin e këtij ligji.
Ju them fermerëve se me buxhetin e vitit 2016 nuk do të shohin më asnjë ditë të bardhë në fushat e tyre, në shtëpitë e tyre, në pasuritë e tyre pasi ky ligj jo vetëm nuk shton por pakëson fondet për fshatin.
Ju them profesionistëve, të vetëpunësuarve se me këtë ligj duke filluar që nga 1 janari shuma që ju duhet të paguani për sigurimet shoqërore do të jetë një lak i dytë në qafën tuaj dhe në fytin e familjeve tuaja”.