Quantcast
Channel: Politika – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 8143

E-mailet e instruktazhit për të punësuar militantët e PS

$
0
0

milena haritoNë dy shkëmbime elektronike, Milena Harito dhe deputetit Taulant Balla u kërkojnë deputetëve të punësojnë në zyrat elektorale persona që do orientonin njerëzit e PS për të aplikuar për vendet e lira. Ministrja Harito: E-mailet dëshmojnë se është zbatuar ligji: Maksimumi i ndihmës, trajnimi mbi procedurat e aplikimit. Numri i ulët i fituesve e tregon 

Publikimi i dy e-maileve, njëri  i deputetit Taulant Balla dhe tjetri i ministres së Administratës Publike, Milena Harito, dërguar disa deputetëve të PS-së me orientime për të vendosur në zyrat elektorale njerëz që do ndihmonin më pas simpatizantët e kësaj partie të aplikonin për vendet e lira në administratë, ka rihapur debatin për transparencën e këtyre punësimeve. Portali Lapsi.al që publikoi dy e-mailet, shkruan se ato janë shenjë e qartë e vijimit të politizimit të administratës dhe emërimeve partiake në to. Ndërkohë, nga ana e saj ministria Harito në një reagim për mediat thotë se dy e-mailet konfidenciale tregojnë të kundërtën dhe se e vetmja ndihmë që u është dhënë simpatizantëve ka qenë orientimi.

Akuzat

Akuzat vijnë në një kohë kur opozita ka denoncuar disa lista, në të cilat sipas saj, janë emrat e të punësuarve prej deputetëve të PS-së në institucione të ndryshme. Një listë për mësues, tatimorë dhe së fundmi një listë e të emëruarve në policinë e burgjeve janë paraqitur të lidhura me deputetë dhe parti politike. Administrata publike dhe politizimi i saj mbetet një nga problemet kryesore në vend. Thuajse të gjitha qeveritë dhe madje edhe brenda tyre, me ndryshimin e ministrave, lëvizje me kriter klientelist kanë dëmtuar dhe vazhdojnë të krijojnë probleme brenda saj.

Ndërkohë, dy e-mailet e publikuara nga Lapsi.al janë dërguar në dhjetor 2014, ato u drejtohen disa deputetëve dhe vetë zëvendëskryeministrit Niko Peleshi.  Në e-mailin e dërguar nga deputeti Balla, ai u dërgon ministrave Mimi Kodheli, Saimir Tahiri, Arben Ahmetaj, zv/ kryeministrit Peleshi dhe deputetëve Tom Doshi, Etjona Hoxha, Fidel Ylli, Ulsi Manja, Ben Blushi, pozicionet e lira që Drejtoria e Administratës Publike ka shpallur sipas qarqeve dhe manualit për të aplikuar online. “Për këtë qëllim, nevojitet që në nivel qarku dhe rrethi, në zyrat qendrore elektorale të vendosen persona përgjegjës që të administrojnë dhe të instruktojnë njerëzit tanë që të aplikojnë”, – thuhet në e-mailin e Taulant Ballës, i cili është dërguar në shtator 2014.

Ndërkohë, në fund të dhjetorit të 2014-ës, ministrja Harito u shkruan të njëjtëve persona me një tjetër e-mail në lidhje me të njëjtën çështje. “Të nderuar. Në vazhdim të shkëmbimit me Taulant Ballën si më poshtë, dhe për shkak të numrit të ulët të fituesve në konkurset e DAP, lutem më transmetoni emrat e 1-3 personave për qark, të cilët do të instruktohen për procedurën e aplikimit, në mënyrë që të kenë mundësi të ndihmojnë këdo që kërkon ndihmë pranë zyrave elektorale”, – shkruan Harito. E-mailet duket se ilustrojnë se me gjithë konkurset, administrata publike vijon të jetë nën ndikim politik dhe përzgjedhja e nëpunësve bëhet edhe mbi bazën e preferencave politike.

Reagimi

Por në reagimin e saj, ministrja Harito thotë se kjo dëshmon se ata i kanë mbajtur premtimet. “Në këtë rast lexohet qartësisht se ne nuk jemi nga ata që tjetër thonë e tjetër bëjnë. Përkundrazi, siç e kemi thënë edhe publikisht, njësoj siç shkruhet edhe në e-mail, në cilësinë e Ministres së Inovacionit dhe Administratës Publike të Partisë Socialiste, maksimumi i ndihmës që është ofruar edhe në këtë rast është trajnimi mbi procedurat dhe kërkesat e ligjit për nëpunësin civil”, thuhet në deklaratën e bërë publike. Sipas saj nuk është bërë asnjë dallim partiak dhe këtë “e tregon qartë edhe fakti se numri i fituesve, siç lexohet edhe në e-mail, është tejet i vogël”. Duke iu referuar e-maileve, ministrja thotë se nuk ka asnjë problem në faktin që simpatizantët do të merrnin informacion për vendet e punës pranë zyrave të partisë. Sipas saj, në mesazh u kërkohet deputetëve të caktojnë njerëz të përgatitur për të sqaruar procedurat e reja të aplikimit ndaj personave që drejtoheshin në zyrat elektorale për të kërkuar punë. “Në këtë linjë informuese, ministrja Harito ka shfrytëzuar edhe kontaktin e qytetarëve përmes zyrave elektorale të deputetëve, për t’i ndihmuar ata në njohjen më të mirë të procedurave të konkurrimit”, thuhet në komunikimin për shtyp.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 8143