Ndërkohë që protesta vijonte përpara Kuvendit, e ashpër ishte edhe seanca brenda në Kuvend.
Tensionet u ndezën sidomos nga një fjalim i kryeministrit Edi Rama, i cili citoi disa nga akuzat e bëra në Kuvend nga Sali Berisha.
Duke cituar fjalë të ish kryeministri Sali Berisha ndër vite, Rama tha se loja mbetet po ajo, por ndryshojnë vetëm emrat. Rama tha se opozita është vonë për rezolutën për medaljen, pasi tashmë ka nisur puna për të tërhequr medaljet.
“Të gjitha mbarojnë me shprehjen se shqiptarët e marin shumë seriozisht politikën, por politika është lojë njësoj si loja e bunkerit, medaljeve, … E njëjta lojë vazhdon prapë, thjesht kanë ndryshuar personazhet, kënga është po ajo.. e njëjta lojë vazhdon dhe me Saimir Tahirin, dhe me Ilir Beqjan, Damian Gjiknurin e këdo tjetër që mundohet të bëjë diferencën me ide, projekte e punë. Emrat janë të rastit, loja është e njëjta. Sa për të ardhur konkretisht te medalja, jeni shumë vonë. Jeni shumë vonë sepse ne e kemi marrë ndërkohë edhe vendimin edhe të gjithë punën e nevojshme jo vetëm për t’i tërhequr të gjitha medaljet që u dhanë me dekretin e Saliut, me vendimet e Saliut, por edhe për të mos lejuar më që të tjerë pas nesh të bien pre e të njëjtit qorrsokak”, tha kryeministri Rama.
Rama tha se ai kërkoi ndjesë “për një faj që nuk e kishte bërë”, duke e quajtur paraardhësin e tij si kryeakuzator dhe kryefalsifikator në këto 25 vjet.
Në përgjigje ndaj tij ish kryeministri Berisha tha se ligji i 1994 parashikonte përjashtimin e kategorive për të cilat bëhet debati, por falë një amendimi të Edi Ramës emrat famëkeq janë përfshirë në listë.
“Kur të shof ty që më citon mua ku të ndridhet zëri, do të thotë që në njëra anë më bëhet zemra mal se je një derivat hiç. Vetëm ty të ka mbetur mendja se unë jam gjithçka se unë jam kryeministër. Pas citimit të fjalimeve të Enver Hoxhës, dhe pamfletit famëkeq që shkruajte kur vdiq ai… e shkrojte e di vetë ti. Unë ndërtoj mbi projekte dhe jo fjalime. Këtij i duhet të fshihet tani, se ky nuk ka pendesën, ky ka kompleksin e turpit. Po të ketë pendesën, ngrihet këtu kërkova të falur, anuloj menjëherë dekoratat, rikthej në fuqi lustracionin. Amendoj ligjin. Këto janë qëndrimet e njeriut të qytetëruar po ti udhëhiqesh nga probleme të tjera, nga probleme të tjera. Ti nuk ke asgjë të përbashkët me një njeri të qytetëruar”, u shpreh Berisha.
“Lexoje mirë flakën e bunkerit,” e paralajmëroi Berisha.