Ka përfunduar protesta e radhës e opozitës, e treta që nga 8 dhjetori.
Kjo ishte një protestë e organizuar nga të rinjtë e Partisë Demkratike.
Edhe këtë herë, sërish janë hedhur tymuese e shashka në drejtim të policisë dhe selisë së Kuvendit.
I pari që ka marrë fjalën ishte kreu i ri i FRPD-së, Belind Këlliçi, i cili tha se rinia është mbledhur para Parlamentit pasi nuk pranon të nënshtrohet.
“Jemi mbledhur sot jo sepse jemi të djathtë, por sepse rinia nuk pranon të nënshtrohet dhe t’i ulet koka. Duam punë, dinjitet dhe mundësi për të avancuar në jetë. Duam të punojmë me dinjitet”, u shpreh Këlliçi.
“Do të mblidhemi në sheshe për të protestuar derisa të rrëzojmë kryeministrin”, shtoi kreu i FRPD-së.
Kurse kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë protestës së ditës së hënë para Parlamentit të organizuar nga opozita, premtoi se “ligji klientelist për arsimin e lartë” do të shfuqizohet javën e parë të mandatit të qeverisë së tij.
“Është një padrejtësi e madhe ligji klientelist për arsimin e lartë. PD-ja ka qenë dhe është kundër këtij ligji korruptiv, që i mohon të drejtën e arsimit më të pamundurve. Ky ligj do të shfuqizohet javën e parë të qeverisë sonë në pushtet. Rinia shqiptare do të arsimohet pa diskriminim me PD-në”, tha Basha.
Kreu i opozitës shtoi se 25 vite pas përmbysjes së regjimit diktatorial, ka ardhur koha për të përmbysur regjimin e korrupsionit, duke nisur nga muaji janar.
Sipas tij, demokratët do përmbushin vullnetin e Zotit.
“Asgjë nuk ndodh rastësisht. Besoj se vullneti i Zotit gjithmonë bëhet dhe besoj se ky vullnet është sprovë që duhet kaluar qindra herë si shoqëri dhe si komb. Përtej korrupsionit, vjedhjes dhe hajdutërisë, jeni ngritur për sprovën e madhe para së cilës Zoti po e vendos përsëri Shqipërinë. 25 vite më parë përmbysëm një regjim, që i konsideronte shqiptarët skllevër. Sot, me sjelljen e tyre, qeveria ka ndërtuar një regjim të dytë kriminal që ligjin e zbaton vetëm për fermerë e berberë, por jo për ministrat milionerë. Janari i vitit të ardhshëm do të jetë nisja e aksionit më të madh kundër korrupsionit në 25 vite. Ta kthejmë në ferr çdo minutë të të korruptuarve”, deklaroi Basha.
Më herët, deputetja e PD-së Jorida Tabaku deklaroi se të rinjtë shqiptarë janë më pak të përfaqësuarit, pasi qeveria nuk ka vend për ta, por vetëm për kriminelët.
“Sot të rinjtë janë më pak të përfaqësuar, nuk janë në qeveri sepse aty janë kriminelët. Të rinjtë duhet të vendosin dhe për këtë arsye PD-ja është alternativa e tyre. Ndoshta nuk kemi bërë gjithçka siç duhet pasi për këtë arsye jemi në opozitë, por kemi bërë diçka të mirë, i kemi vënë të rinjtë në qendër të vëmendjes. Mendojmë se të rinjtë duhet të jenë në administratë dhe Parlament. Të rinjtë janë forca jonë, duhet të jenë në ballë të protestës dhe në ballë të qeverisjes”, theksoi Tabaku.