Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se ka ndjekur punimet sot për rimëkëmbjen e rrjetit energjetik në Paskuqan, Babrru e Bathore, një zonë e cila sipas Ramës “ është sot shembull për mënyrën sesi kontributi qytetar përmes pagesave të rregullta të energjisë elektrike, kthehet sërish tek qytetarët përmes investimeve. Falë rritjes së ndjeshme të nivelit të arkëtimeve të energjisë së faturuar në masën 116%, në këtë zonë tejet problematike ka nisur pas 40 vjetësh ndërtimi i rrjetit të ri 20 kV dhe i tensionit të ulët me linjat ABC për këtë zone”.
“Kjo linjë e re prej 380 km, që do të sjellë një transformim rrënjësor të shërbimit me energji për 80 mijë banorë, është vepër e qytetarëve të kthyer në konsumatorë të rregullt të energjisë. Të cilët i dhanë mundësi rilindjes së një kompanie të mbytur në borxhe e në vjedhje, duke i dhënë fund një epoke të turpshme për Shqipërinë ku energjia u kthye në mall pa zot dhe gropa e hajdutërisë masive u mbyll për vite me radhë me lekët e çerdheve, kopshteve, shkollave, spitaleve e me radhë”, bëri të ditur kryeministri.