Quantcast
Channel: Politika – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 8143

Miratohet ligji për Turizmin, debat Xhafaj-Ahmetaj

$
0
0

ahmetajNë seancën e fundit plenare për këtë sesion Parlamenti ka votuar ligjin e ri për Turizmin. Opozita e kundërshtoi duke theksuar se ai u shërben interesave të ngushta të përfaqësuesve të shumicës. Debat edhe mes Xhafajt dhe ministrit Ahmetaj për disa propozime të komisionit të Ligjeve

 

Kuvendi ka mbyllur dje punimet e tij për këtë sesion parlamentar ndërsa deputetët kanë marrë pushimet e verës. Në seancën e fundit, e cila ishte dhe seancë jashtë radhe, është diskutuar dhe miratuar vetëm një ligj, ai “Për Turizmin”.

Ligji në fjalë ka marrë vota 79 pro të mazhorancës dhe 13 vota kundër të opozitës. Por para se të kalonin në proces votimi, mazhoranca dhe opozita janë përfshirë edhe për këtë ligj në një debat të gjatë, ku nuk kanë munguar diskutimet që kanë të bëjnë jo vetëm me përmbajtjen e kësaj nisme, por me çdo aspekt që ndikon te nxitja apo frenimi i turizmit në vendin tonë. Mazhoranca këmbënguli se përmes këtij ligji, Shqipëria do të vendoset në një destinacion të preferuar dhe konkurrues në tregun ndërkombëtar të këtij sektori.

“Synohet promovimi i ekonomisë. Ligji i harmonizuar me të gjitha konceptet e investimeve strategjike. Ky ligj i zgjidh të gjitha problemet e shtruara nga PD. Ky ligji standardizon zonat turistike duke mos i shndërruar si Golemi. Rajoni është në një situatë më të avancuar se ne. Keqmenaxhimi i territorit solli këtë situatë”, – u shpreh në fjalën e tij ministri i linjës, Arben Ahmetaj.

Ndërsa për deputetin socialist, Bashkim Fino, ky ligj sjell turizëm vjetor të integruar, zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, si dhe formalizimin dhe standardizimin e industrisë së turizmit. Por sipas opozitës ligji ka koncepte të gabuara, por dhe një përqendrim të tepruar të kompetencave në një ministri të vetme. Për ish-kryeministrin Sali Berisha, ligji në fjalë u heq kompetencat autoriteteve lokale, si dhe nuk parashikon një strategji të qartë për zhvillimin e turizmit.

“Kjo seancë është thirrur sipas ligjit të Edi Ramës, që e ka shndërruar këtë parlament në një seksion të PS-së. Turizmi, pasuria më e madhe pas asaj njerëzore që ka ky komb, që ka ky popull, që ka Shqipëria. Është një potencial i jashtëzakonshëm. Ribërja e një ligji të ri për turizmin është plotësisht e justifikuar dhe i mirëpritur, por për fat të keq, këtë ligj nuk mund ta votoj sepse si në asnjë vend tjetër të planetit, përveç Koresë së Veriut, as në Shqipërinë e Enver Hoxhës, u merr çdo kompetencë e autoriteteve lokale për t’ia dhënë sivllaut të tij Kokëdhimës. Nuk mundet kurrë që të dhunohet praktika botërore dhe konventat ndërkombëtare. Ky ligj, sikur po ecim drejt Koresë së Veriut dhe jo drejt BE-së. Ligjin nuk e votoj unë, se shoh në të në nene të tëra Koço Kokëdhimën. Shoh resortin e tij turistik”, – tha Berisha.

Por debate ka pasur edhe mes vetë përfaqësuesve të mazhorancës lidhur me disa amendamente të paraqitura nga Komisioni i Ligjeve dhe që nuk ishin përfshirë në variantin final.

Kryetari i këtij komisioni, Fatmir Xhafaj ka këmbëngulur që Kuvendi të shprehej me votë në lidhje me këto amendamente, ndërsa ministri i Ekonomisë ka theksuar se në draftin final ato nuk ishin përfshirë.

Pas një pushimi këto amendamente janë marrë parasysh. D

uke marrë shkas nga diskutimi i këtij ligji, pjesë e debatit është bërë edhe çështja e ndërtimit pa leje në kalanë e Tiranës, një pjesë e të cilit u prish disa ditë më parë nga IKMT-ja. Sipas Berishës, ky rast është një tregues i qartë sesi mazhoranca dhe qeveria stimulon dhe mbron vendet që mund të jenë atraktive për turistët.

Por sipas ministres së Kulturës, nga dhe varet administrimi i kësaj hapësire, ndërtimi pa leje u krye gjatë muajit qershor dhe menjëherë sapo institucionet u vunë në dijeni, u reagua duke u prishur. Por sipas kryeministrit Berisha, reagimi i institucioneve është i vonuar, pasi në të vërtetë sipas tij, ndërtimi ka nisur të kryet që në muajin prill.

Për këtë ai ka paraqitur në seancë një sërë dokumentesh që ishin pjesë e korrespondencës së institucioneve shtetërore për këtë çështje.

Ndaj këtij debati reagoi më vonë edhe trashëgimtari i fronit mbretëror, princi Leka, i cili duke qenë dhe denoncuesi i parë i këtij ndërtimi, ka bërë të ditur se denoncimi është bërë që në prill, ndërsa ka sqaruar gjithashtu se ndërtimi i prishur është vetëm njëra pjesë e kësaj ndërtese, pasi objekti kryesor i ndërtuar gjatë këtyre muajve ekziston ende.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 8143