Ashtu siç ishte paralajmëruar, deri më tani duket se do jenë dy drafte për reformën në drejtësi, një që etiketohet si drafti i PS dhe tjetri i LSI.
Pas një takimi të Ilir Metës me juristët e LSI-së, deputetja e kësaj partie, Silva Caka tha: “Nesër fillon procesi i dialogut politik me ndryshimet kushtetuese në kuadër të reformës në drejtësi. LSI fton të gjitha partitë politike parlamentare për të kontribuar në këtë proces. Nesër do t’i hapim rrugë procesit të konsultimit të mëtejshëm me Komisionin e Venecias dhe dialogut politik në vend. LSI, në mënyrë pozitive dhe konstruktive, do të paraqesë nesër mendimet e saj në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi, në funksion të përmirësimit të draftit të propozuar nga ekspertët”.
Por ndërkohë që historia e reformës në drejtësi ka ndezur një debat online nëse do ketë një përçarje mes Ramës dhe Metës, analisti Mero Baze thotë se në të vërtetë kjo situatë po tregon se PD është bërë një satelit i Ilir Metës.
“E vërteta është se PD dhe LSI nuk kanë arsye të njëjta për të mos e votuar reformën në drejtësi. LSI ka disa oponenca që kanë të bëjnë me raportet që ajo ka me PS në këtë proces, kurse PD mund ta refuzojë apo të përfshihet në këtë reformë për arsye thelbësisht politike.
Megjithatë, falë zotësisë së Metës, por më shumë falë idiotësisë
së PD, ajo u kthye në një parti satelite të Ilir Metës, që shpreson, ëndërron apo performon, sipas asaj çfarë vendos ai, dhe jo Berisha e Basha.
Është e turpshme që një parti e tërë, aq e madhe dhe aq solide, komandohet lehtësisht si në ato kamerat e fshehta japoneze, ku një trupë prej 10 mijë vetësh vihen nga skenaristi në rrugë për të xhiruar një skenë gallate për një person. E tillë më ka ngjarë PD këto ditë, kur në vend të personalitetit të saj politik për reformën, dhe betejës që duhet të bëjë për idetë e veta, harxhon kohën me skemat vulgare të Berishës që të vetmen shpresë të tij për t’u rikthyer, shikon vetëm prishjen e koalicionit Rama-Meta. Është aq i obsesuar pas kësaj, sa nuk e kupton që e ka kthyer PD në një seksion të LSI, e cila komandohet nga Ilir Meta, që nuk është çudi që për shkak të kësaj, PD të bjerë në vota poshtë Ilir Metës”.