Parlamenti ka nisur sot sesionin e ri. Pas fjalës së kreut të Kuvendit, e ka marrë fjalën kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka.
Gjatë fjalës së tij, Paloka u shpreh se “shqiptarët e kanë nisur këtë vit, më keq se atë të mëparshmin”. Për Palokën, ky vit nisi me vrasje e grabitje.
“Shqiptarët edhe në këtë ndërrim vitesh i uruan njëri-tjetrit një vit më të mirë se viti i kaluar. Edhe ky vit nisi ashtu siç pritej, më keq se ai që lam.
Filloi me vrasje, grabitje, përmbytje, po përmbyten çdo ditë jo nga uji e bora, por mjerimi që u dhuron qeveria dhe kryeministri i tyre.
Taksa të reja, pushime masive nga puna ishte urimi që u bëri Rama edhe ditën e ndërrimit të viteve. Por asnjëra nga këto, nuk e pengoi Ramën që të vazhdonte turizmin, që nga ai artistik e ktheu në turizëm sportiv.
Nuk e ndaloi as Beqëjn që të mbushë arkën me para të vjedhura. Arroganca e këtij kryeministri ka arritur kulmin. Jo më larg se dje pranuan se kanë paguar 360 milionë ndaj revistës The Economist për ti bërë reklamë Ramës e jo vendit.
360 mln të paguara nga taksat që u merren me dhunë shqiptarëve për ti bërë elozhe liderit botëror, ndërsa mijëra familje të bllokuara në borë, presion që ti sigurojë bukën e përditshme”, u shpreh gjatë fjalës së tij, Edi Paloka.