Kryeministri i Italisë, Mateo Renzi, është shprehur pro anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian gjatë një shfaqjeje televizive ku është debatuar për çështjet më të nxehta të BE-së.
Kreu i ekzekutivit italian, theksoi rëndësinë e zgjerimit të Unionit duke cituar edhe Kryeministrin, Edi Rama. Ai shtoi se Ballkani ndodhet në një situatë të vështirë, dhe ka nevojë për ndihmën e Europës.
Renzi:“Unë jam për zgjerimin e Europës me Shqipërinë. Ballkani ndodhet në një situatë mjaft të vështirë dhe ka nevojë për ndihmën tonë. Miku im Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë, e vë në dukje shpesh rëndësinë që e integrimit të shqiptarëve në Europë. E njëjta situatë është edhe në Serbi.”
Matteo Renzi ka patur debate të vazhdueshme me liderët e Bashkimit Europian. Gjatë intervistës, ai theksoi se blloku me 28 antarë nuk duhet të jetë thjesht një grupim ku lejohet kalimi pa viza dhe investohet vetëm në zhvillimin e ekonomisë.
Sipas tij, BE-ja duhet t’i kushtojë një rëndësi të veçantë edhe zhvillimit të arsimit, kulturës dhe shoqërorisë, për të parandaluar dukuri negative sic ishin sulmet që tronditën Parisin gjatë mbrëmjes së 13 nëntorin të vitit të shkuar.
“Bashkimi Europian nuk duhet të jetë thjesht një tërësi burokracish”, ishin fjalët e Renzit./Ora