Ministri i brendshëm Saimir Tahiri i ka befasuar të gjithë sot, kur nëpërmjet një prezantimi publik që zgjati mbi një orë, u paraqit në rolin e një show-mani apo stilisti, ku me një mikrofon të inkorporuar u mor me prezantimin e uniformave të reja të policisë, deri në detajin më të imët, duke ia kaluar edhe vetë kryeministrit Rama, që i ka fort për zemër estetizmat stilistike.
Sipas Tahirit, “edhe detajet kanë vlerë, ndaj në çdo kopsë të uniformës është ruajtur elementi i Përkrenares së Skënderbeut, deri në rripin e sipërm të kapeles që është ruajtur po ky element, përkrenarja. Karakter dallues është shqiponja”.
“Ka pasur në historinë e uniformave disa modele, po ne menduam të zgjidhnim njëtrajtshmërinë në trajtimin e këtyre elementeve, ndaj përzgjodhëm një përshkrim të stilizuar të shqiponjës me përkrenares dhe doli një derivat i shqiponjës së vitit 1922. Dhe në pantallona dhe në disa elementë të kapeles është përzgjedhur shiriti i kuq si risi, që ka qënë dhe rikthehet,” – ishin disa nga batutat e Tahirit.
Nga ministri i Brendshëm do të pritej që të ishte në ballë të punëve të diskasterit të tij në luftën kundër krimit në vend dhe që t’ia linte zanatin e rrobaqepësve dhe të stilistëve, atyre që iu shkon më tepër për shtat.