LSI ka vënë në qendër të kritikave publike ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqajn. Duke folur në emër të kësaj partie, nënkryetari Petrit Vasili, ishte i ashpër ndaj Beqajt në Komisionin e Shëndetësisë.
Kritikat ishin mbi vendimin e ministrit për të shkrirë urgjencën në kuadër të krijimit të urgjencës kombëtare.
“Gabon te Urgjenca Kombëtare, qendër që s’ka përfunduar ende dhe nuk ka marrë funksionet e saj ende. Ndërkohë që s’kemi kokën, po shpërbëjmë trupin. Ne trurin s’e kemi. Urgjenca Kombëtare, sic ishte ideuar, do të kishte një kokë.
Do të merrej me koordinimin. Do të merrte sinjalin dhe do t’ia transmetonte urgjencës më të afërt. 140 deputetët e parlamentit nuk e dinë fare se si do të jetë kjo urgjencë dhe ky është një problem shumë i madh. Çfarë kemi për t’u fshehur këtu ne?”,- u shpreh Vasili.
Akuzat ndaj Beqajt janë të forta edhe nga opozita, e cila e ka quajtur ministrin më të korruptuar të qeverisë Rama.