Top Channel raporton në edicionin qendror se një rol për ‘rrëzimin’ e Shkëlqim Canit ka pasur edhe Lëvizja Socialiste për Integrim.
Top Channel raporton se këto ditë ka pasur edhe zhvillime të tjera jashtë vëmendjes së publikut.
Të hënën, ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri i është drejtuar me një letër ish-kolegut të tij Cani, ku i kërkon uljen e rentës për industrinë minerare, e cila po përjeton një moment të vështirë, si rezultat i rënies drastike të çmimeve.
Gjiknuri i kërkon Canit të lehtësojë fort këtë industri, e cila për koinçidencë është e përqëndruar pikërisht në zonën elektorale të vetë Canit.
Por Top Channel ka mësuar me siguri të plotë se, lobi i industrisë nxjerrëse të kromit ka shtuar presionin ndaj qeverisë dhe Komisionit të Ekonomisë në Kuvend, edhe me mbështetjen e disa deputetëve të mazhorancës, kryesisht nga LSI.
Aleati më i madh i Shkëlqim Canit këto dy vite e gjysmë ka qenë Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili ka përshëndetur qëndrimet e ministrit për zbatimin rigoroz të marrëveshjes.
Por Cani ka për epror Edi Ramën, idetë “risi” të të cilit, si dhënia me koncesion e TVSH-së, binin ndesh me natyrën konservative tashmë të ish-ministrit të Financave, raporton Top Channel.