“Më duket si loja e një fëmije në fakt, që përpara se t’i thonë apo t’i lexojnë instruksionin e një lodre, vendos ta provojë njëherë çfarë mund të ndodhë nëse e bën kështu. Asgjë nuk do ndodhi. Kandidaturat do marrin pëlqimin në Kuvendin e Shqipërisë, sipas propozimit që ka bërë Kryeministri”.
Kështu e ka komentuar veprimin e Presidentit të Republikës, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj.
Në një intervistë për Top Channel, ministria Felaj i ka kujtuar Presidentit se Kushtetuta qartëson se roli i Presidentit është thjesht honorifik në dekretimin e ministrave.
“Kushtetuta urdhëron Presidentin që të veprojë në momentin që ka një propozim nga Kryeministri dhe këtë duhet të bëjë Presidenti. Kompetenca e Presidentit për të emëruar apo shkarkuar ministra, është thjeshtë një kompetencë e aspektit honorifik ose simbolik. Nuk është Presidenti i Republikës ai që ka tagerin për t’i hyrë vlerësimit të kandidaturës së një ministri që propozohet nga Kryeministri”, shton Felaj.
E në fund, ministrja, ndryshe nga Kryeministri Rama, i cili nuk preferon të flasë me “nëse”, ka qenë shumë e qartë në pasojat e veprimeve të Presidentit të Republikës.
“Nëse ka vendosur, në fakt siç e ka shprehur në disa sjellje për fat të keq, që të sillet në institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë si militanti më i rëndomtë nga partia e cila vjen, atëherë natyrisht që do të marrë atë përgjigjie që merr kushdo që guxon të sfidojë, jo Kushtetutën, por guxon të sfidojë sovranin. Natyrisht nuk ngurroj fare ta them që kjo të çon në shkarkim nga detyra”, deklaron Felaj.
Dekretet e ministrave, të shkarkuar dhe mungesa e dekreteve per ministrat e emëruar, rrezikojnë të fusin në një ngërç dy nga institucionet më të rëndësishme në vend, Parlamentin dhe Presidentin e Republikës.
Ndonëse në seancën e fundit plenare u njoftua se kishin mbërritur në Kuvend dy dekretet me firmën e Bujar Nishanit për shkarkimin nga detyra të Shkëlqim Canit dhe Arben Ahmetajt, ato nuk u hodhën në votim.
ABC News kërkoi një shpjegim për këtë nga zyra e Shtypit e Kuvendit por nuk mori asnjë përgjigje. Ky institucion gjithsesi ka 10 ditë kohë nga mbërritja e dekreteve të Presidentit për t’i miratuar ato.
Por problemi duket se qëndron te vullneti politik për ta bërë një gjë të tillë, në kushtet kur Kreu i Shtetit nuk ka dekretuar ministrat e emëruar në krye të dikasterit të Financave dhe atë të Zhvillimit Ekonomik.
Kontaktuar nga ABC News, Presidenca shpjegoi se është e drejtë e Kreut të Shtetit të presë që përmes votimit të shkarkimeve në Parlament të krijohet vakanca në këto institucione e më pas të dekretohen ministrat e rinj.
Në të tilla kushte, zyrtarë brenda mazhorancës kanë bërë të ditur se nëse Presidenti i Republikës nuk do të dekretojë emërimin e dy ministrave të rinj brenda afatit 7-ditor që i cakton Kushtetuta, atëherë shumica e majtë do të kërkojë shkarkimin e Bujar Nishanit për shkelje të librit themeltar të shtetit.
Duket se pikërisht këtij vendimi të mazhorancës i referohej indirekt Kryeministri, kur komentoi refuzimin e Nishanit për të dekretuar ministrat e rinj të Qeverisë Rama.
Në mbështetje të arsyetimit të saj, sipas së cilit dekretet për shkarkime dhe emërime ministrash dërgohen së bashku, mazhoranca citon precendentin historik që është ndjekur gjithmonë në të tilla raste, jo vetëm nga paraardhësit e Bujar Nishanit në krye të shtetit, por edhe nga vetë ai.
Analistët konfirmojnë se është i paprecedentë vendimi i Presidentit Nishani për të pritur shkarkimin e ministrave nga Parlamenti para se të dekretojë emërimet e ministrave të rinj.
Gjithsesi shkarkimi i Presidentit nuk është i lehtë për t’u arritur. Përveçse një shumice prej 2/3 në Parlament, për të cilën mazhorancës do t’i duheshin edhe votat e opozitës, fjalën e fundit për këtë e ka Gjykata Kushtetuese.