Që prej shkarkimit, ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani nuk ka bërë ndonjë koment publik.
Njoftimi i fundit për shtyp i shpërndarë nga ministria gjatë kohës që ishte akoma në detyrë, fliste për borxhin.
Disa media aluduan se Cani po nxjerr të palarat e borxhit, madje kjo situatë nxiti edhe fantazinë e karikaturistit Bujar Kapexhiu.
Por ndërsa shkarkimi i Canit u shoqërua me spekulime se atë e larguan në mënyrë të beftë dhe ndoshta jo dinjitoze për dikë, që kryeministri thotë se e ka ndihmuar për të kaluar situatën më të vështirë financiare në vend, mungesa e Canit në komisionin hetimor për klonimin e të dhënave nga serveri i Tatimeve mbetet lajm i ditës.
Cani nuk ka paraqitur ndonjë arsye për këtë mungesë.
Klonimi i të dhënave nga serveri i Tatimeve dy vite e gjysmë më parë, nga një grup auditi i Ministrisë së Financave, ku ishte edhe deputeti i LSI-së, Spartak Braho, është objekt i punës së komisionit hetimor parlamentar, i cili në mungesë të ish-ministrit Cani vijoi me pyetjen e dy zyrtarëve të Ministrisë së Financave.
“Unë nuk kam lidhje me proceset e auditimit, për arsye se auditimi është një mjet në duart e titullarit, që në këtë rast është ministri i Financave”, tha Gelardina Prodani, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Financave.
“Jam informuar nëpërmjet medieve në atë moment, si të gjithë të tjerët. Nuk jam në dijeni të procesit”, tha Gentjana Halili, drejtoreshë e Harmonizimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Financave.
Gjatë pyetjeve rezultoi se, auditi i kontraktuar ishte bërë në një kohë kur nuk kishte kritere, që përcaktonin mënyrën e e procedurës që duhej ndjekur për këtë lloj auditi.
“Ligji i vitit 2007 kishte përcaktuar nxjerrjen e një VKM-je me kriteret. Në dispozitat tranzitore të ligjit të 2007-s thuhej që ky VKM duhej të dilte brenda 8 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit. VKM-ja nuk ka dalë asnjëherë. Nuk ka pasur kritere sesi bëhet auditimi me nënkontraktim”, tha më tej Gentjana Halili, drejtoreshë e Harmonizimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Financave.
Dëshmia e ish-ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, pritet të sqarojë pikëpyetjet që janë ngritur në komisionin hetimor për klonimin e të dhënave të serverit të Tatimeve.