Me sa duket në Partinë Demokratike, për herë të parë të vjetrit po fillojnë të përceptojnë nisjen e një reforme brezash që me sa duket po nis të ndërmarrë në heshtje kryetari Lulzim Basha.
Një ditë më parë u raportua se në protestën e grave të PD-së kundër Edi ramës dhe fyerjeve të tij në Parlament, ra në sy mungesa e Majlinda Bregut dhe e Jozefina Topallit.
Bregu u shpreh sot se ndihej me fat që nuk kishte marrë pjesë në atë protestë.
Por ndaj ish-ministres duket se ka reaguar deputetja e re Arbjola Halimi, e cila me ironi ka shkruar në profilin e saj në Facebook këtë poezi: “Në bregun e lumit qëndronte një zonjë, Sytë i kish të mbyllur, se pa, Kaloi një Shqiponjë!”, shkruan Halimi.
Ndërkohë Opinion ka arritur të zbardhë debatin brenda mbledhjes së sotme të PD.
Ka qenë Majlinda Bregu ajo që i është drejtuar me një gjuhë të ashpër kryetarit Lulzim Basha, duke i kërkuar të mos iu shmanget pyetjeve.
“Nuk je tek Fevziu apo tek Balla këtu që të më japësh përgjigje televizive”, mësohet se i ka thënë Bregu kreut të PD-së.
Më tej Lulzim Basha ka pyetur deputetët nëse janë për bllokim të parlamentit apo për bojkot total të tij. Genc Ruli është shprehur se bojkoti duhet menduar sepse nuk ka PD-ja një kauzë kaq të fortë dhe duhet parë më tej si do bëhet rikthimi në Parlament”.
Asnjë nga deputetët nuk ka mbështetur idenë e bojkotit, por vetëm bllokim të parlamentit.
TCH shkruan se i pakënaqur me Bashën u shpreh edhe ish-kryetari Sali Berisha. Sipas tij, selia blu nuk ka qenë e suksesshme për t’u shpjeguar qytetarëve se, për reformën në drejtësi dhe Byronë e Hetimit, Komisioni i Venecias i ka dhënë të drejtë opozitës. Ndryshe nga kritikat e kolegeve femra, nga kritika e ish-kryetarit duket se Lulzim Basha reflektoi pas mbledhjes.
“Do të përballet me vendosmërinë tonë nesër në Parlament, sikundër i jap fjalën që nuk do të shpëtojë dot nga një drejtësi e reformuar, nga një prokurori e reformuar, nga një kapacitet hetues për korrupsionin në nivele të larta. Venecia ka folur qartë. Venecia na ka dhënë të drejtë. Herët a vonë, Prokuroria Speciale Antikorrupsion do të ketë të bëjë me shkaktarin e kësaj krize të gjithanshme, që quhet Edi Rama”, deklaroi Basha.