Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka qenë sot në Berat ku ka dëgjuar problemet e qytetarëve.
“Në Berat situata sa vjen dhe përkeqesohet. Papunësia rritet, taksat po ashtu, pamundesia e qytetarëve për te permbushur nevojat bazë shtohet, xhiroja e bizneseve bie. Kjo është situata që më parashtruan sot qytetarët dhe tregtarët ne Berat”, – është shprhur Basha.
Lideri i opozitës tha se “Se bilanci i Edi Ramës është papunësi, varfëri në rritje, çmime më të larta, taksa më të larta, arbitraritet, arrogancë, me fjalën burg që nuk i ndahet në asnjë fjalim, me vjedhje të mëdha, me skandale akoma më të mëdha, me asnjë reformë të vërtetë por me masa represive për të goditur qytetarët, për të goditur tregun, për të goditur biznesin, për të goditur liritë, për të goditur studentët, për të goditur burrat e për të goditur gratë”.
“Që sot në këtë 8 Mars nuk kanë asnjë arsye të vërtetë të ndihen më të lumtura se një vit më parë apo dy vite më parë, apo tre vite më parë. Por kanë shumë arsye të ndihen më të shqetësuara, më me shumë ankth për veten e tyre, për familjet e tyre e në veçanti për fëmijët e tyre. Ja pra ku jemi, ky është produkti i një qeverie që erdhi me mashtrime, qeverisi me mashtrime dhe me vjedhje dhe po mundohen t’i ikin gjykimit të qytetarit shqiptarë përsëri me mashtrime.
Në këtë udhëkryq ka vetëm dy rrugë. Një rrugë është kjo që kanë nisur Edi Rama, me një grusht njerëzish që përfitojnë. Nuk është se përfitojnë të gjithë socialistët, dëshmitarë jeni edhe ju. Dhe kjo është rruga që na çon drejt rënies së shtetit ligjor, ndërtimit të shtetit personal të Edi Ramës njësoj si shteti personal i Enver Hoxhës. Mosrespektimi i të drejtave të njeriut, mospasjes së asnjë dere ku të qajnë hallet qytetarët, mosdhënies llogari për paratë që ju merren si taksave, vjedhjes dhe batërdisjes së buxhetit të shtetit, mosndërtimit të asnjë shkolle të re, mos hapjes së asnjë vendi të ri pune.
Rruga tjetër për Shqipërinë është rruga e Partisë Demokratike e opozitës, e qytetarëve që nuk duan asnjë minutë këtë gjendje të paparanueshme dhe që kërkojnë shpëtim. Është rruga e një alternative të re, e një ekipi të ri, e një zotimi të ri dhe të një bashkimi të ri të shqiptarëve. Jo për dokrra, as me parulla mashtruese si ajo e Rilindjes por për plane konkrete të cilat me vendosmëri do të vihen në punë dhe do të prodhojmë për shqiptarët rrugën e e nxjerrjes nga kriza. Të prodhojmë për shqiptarët një të nesërme të sigurtë, një ekonomi të fortë që të prodhojë vende pune, me rroga dhe paga më të mira për shqiptarët dhe fëmijët e tyre.”, – tha Basha.