Përfaqësuesi i PD Ervin Salianji gjatë vizitës së sotme të tij te nënë Zyla, e përshkroi të sajën si një familje dinjitoze, “e cila pavarësisht se sot ishte thërritë në zyrë nga Veliaj për shou mediatik, nuk pranon lëmoshën e tij, por kërkon punë me dinjitet”.
Salianji tha se nënë Zyla i tregoi “tre gjoba që kishte paguar këtë muaj, dy nga 500 lekë në emrin e saj dhe një 1000 lekë në emër të Baki Lamit, bashkëshortit të saj”.
Por kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj publikoi sot një foto me Nënë Zylën, duke dashur t’i hedhë poshtë të gjitha kritikat që janë bërë ndaj tij këto ditë, për foton tepër prekëse të nënës me presh, e cila gjobitej nga policia bashkiake në kryeqytet, foto e cila bëri bujë në rrjet dhe mori përkrahjen e shumë njerëzve, të cilët e mbështesnin zonjën e gjorë.
“Me nënë Zylen në …treg!”, – shkruante Veliaj krah fotos.
“Një qytet i mirë ka vend për të gjithë, edhe për ambulantet edhe për banorët! Të parët me tregje higjenike jo në rrugë, të dytët me trotuare e shkallë të lira për në pallat! I vendosur që Tirana të mos jetë pazar mesjetar, por secili të ketë mundësinë për tregti e banim pa penguar tjetrin!
16 tregjet e administruara nga Bashkia Tiranë kanë taksa 0! Ndërkohë në qytet ka dhe 30 tregje të tjera publiko-private me pagesa minimale!”, – ishte komenti i kryebashkiakut.