Kreu i Agjencisë për Zbatimin e Reformës Territoriale, Artan Shkëmbi shpreh shqetësimin se krerët aktualë të njësive vendore nuk janë më të motivuar dhe nuk po ofrojnë më shërbime për qytetarët. Ndaj kërkon konstituimin sa më parë të drejtuesve të rinj.
Kryetarët e disa bashkive dhe komunave që nuk kanë fituar zgjedhjet, ose që shkrihen, nuk po ofrojnë shërbime ndaj qytetarëve. Shqetësimin e ngre ish-kryetari i Bashkisë Pogradec, Artan Shkëmbi, sot drejtor i Agjencisë për Zbatimin e Reformës Territoriale. Në një intervistë për “A1 Report”, Shkëmbi thotë se është vërejtur problematikë në zonat turistike në veçanti, çfarë e bën të domosdoshme konstituimin e kryetarëve të rinj. Ndaj ai deklaron se është i domosdoshëm konstituimi sa më parë i kryetarëve të rinj të bashkive për të mos lënë qytetarët pa shërbime. “Javën që vjen fillon konstituimi i kryetarëve të rinj të bashkive. Domosdoshmëri që konstituimi të bëhet sa më shpejt, sepse kryetarët në ikje s’janë të motivuar për shërbime ndaj qytetarëve. Dhe do ishte mirë edhe për qytetarët kjo gjë.
Konstatojmë se nuk ka përkushtim nga kryetarët e komunave që ikin, që nuk japin shërbime si pastrimin etj. Kjo ndikon edhe në turizëm”, – shprehet Shkëmbi. Më tej ai thekson se, natyrisht, në këtë fazë tranzitore pritet të ketë edhe vështirësi, si përsa i përket mungesës së eksperiencës së kryetarëve të rinj, ashtu edhe për sa i përket kalimit të kompetencave nga komunat dhe bashkitë që nuk do jenë më në bashkitë e reja. “Kryetaret do të futen në zyrat e tyre në një situatë të re nga ato që jemi mësuar të shikojmë në zgjedhjet e tjera. Sepse do largohen 7 ose 8 kryetarë dhe do mbulohen nga 1 njësi. Agjencia ka përgatitur gjithçka që duhet”, – shprehet Shkëmbi.
Ndaj shton ai, është e domosdoshme që kryetarët e rinj, një ndër punët e para që duhet të bëjnë është që të emërojnë administratorët e rinj, në mënyrë që qytetarët të mos mbeten pa shërbime. “Kryetaret e rinj të bashkive do të duhet të emërojnë administratorët e njësive administrative, për të mos lejuar krijimin e boshllëqeve. Nuk do të ketë paketa fiskale, do t’iu duhet të miratojnë buxhetet dhe paketat fiskale, dhe emërojnë stafet”, – bën të ditur Shkëmbi. Më tej ai shton se për të realizuar shërbimet e nevojshme, është menduar që kryetarët e rinj të kenë një strukturë provizore deri në emërimin dhe zgjedhjen e gjithë personave që do bëjnë dhe detyrat specifike. Natyrisht që kjo pritet të jetë një rast i mirë për drejtuesit e rinj të bashkive, për të plotësuar stafet e tyre me ekipet e reja.
“Kemi paraqitur një projekt për të krijuar një strukturë tranzitore, që u lejon paketën fiskale në gjithë territorin. Është e rëndësishme të kalojmë fazën tranzitore. Nga 1 gushti këto bashki të kenë strukturat e tyre për të pasur shërbime, dhe plotësimin me administratorë, për të paguar punonjësit, ndihmën sociale etj”, – deklaroi më tej ish-kryetari i Bashkisë së Pogradecit. Sa i përket buxhetit, ai është shprehur se Ministria e Financave ka monitoruar situatën dhe ka bllokuar llogaritë e njësive aktuale në mënyrë që të mos lejojë abuzimet prej tyre në ditët e fundit të pushtetit, përsa kohë situata e do që ato të drejtojnë vetëm për gjysmën e vitit buxhetor.
“Nuk konstatojmë shkelje nga kryetaret e komunave dhe bashkive, sepse llogaritë bankare janë mbyllur, sepse Ministria e Financave i ka monitoruar, duke mos i lejuar të abuzojnë”, – tha Shkëmbi. Gjithashtu, në këtë intervistë Shkëmbi ka bërë të ditur edhe disa nga kompetencat dhe funksionet që deri më tani i kryente pushteti qendror me anë të institucioneve të varësisë dhe tashmë do t’i kryejë pushteti vendor. “Mirëmbajtja e rrugëve ka qenë kompetencë e këshillit të qarkut. Ndarja territoriale i konsideron rrugë të brendshme, do ketë më shumë rrugë për të mbajtur. Ajo që do të ndodhë shumë shpejt, është që qeveria dhe kryeministri Edi Rama kanë shprehur qëndrueshmëri për decentralizim të plotë. Pra do kemi 61 komisariate, 61drejtori arsimore në gjithë bashkitë e reja etj.
Ministritë po punojnë me kujdes për decentralizimin e shërbimeve si bujqësia, kullimi dhe vaditja gjithashtu. Ministria e Arsimit po punon që edhe kjo të jetë në dorë të pushtetit lokal. Apo edhe policia, që po kërkohet të gjendet një lidhje organike mes kryetarit të bashkisë dhe policisë. Zjarrfikëset kalojnë në administrim të bashkive, të nivelit kombëtar, emergjencat civile etj. Për çështjet sociale po punohet që bashkia të administrojë fondin. Shërbimet në bazë dhe terren që ministritë e kanë të pamundur t’i përballojnë, do t’i marrin bashkitë”, – tha Shkëmbi.