Me frikën e Edi Ramës për tu zgjedhur në Parti i ka dhënë shansin një Njeriu të vendosë edhe për postin e Kryeministrit edhe për të Kryetarit të Partisë Socialiste. Këtë e tha Ben Blushi i ftuar në emisionin Top Story në TCH.
Ja argumenti i tij.
“Sipas statutit të ri, Edi Rama Kryeministër është automatikisht edhe Kryetar Partie. Por nëse prish LSI koalicionin me PS, ne mbetemi pa kryeminister dhe pa kryetar te partie. Pra ne po zëvendësojmë 100 mijë vota të anëtarëve të PS me voten e një njeriu, të Ilir Metës”, tha Blushi.
Sipas tij, “nëse Ilir Meta, thotë nesër se e vazhdojmë koalicionin me ndryshimin e Kryeministrit dhe nëse ai propozon Taulant Ballën, meqenëse e ka edhe përzemër, i bie që automatikisht Balla është Kryeministër dhe Kryetar i PS”, u shpreh Blushi.
“Bukurosh Stafa votoi për Saliun në 2007, por ai sot është futur në Asamblenë e PS dhe ky është standardi i Rilindjes deklaron Ben Blushi. “Çiften e Elbasanit (Hektor Çiften) e futën në Asamble, pasi më kërcënoi mua. Ai më duket si pastë dhëmbësh i PD, PS ka mbledhur të gjithë të zhgënjyerit nga PD dhe partitë e tjera duke lënë jashtë socialistët e ndershëm duke u kthyer si PPSH” tha me tej Blushi në Top Story.
Ben Blushi i pyetur nga Sokol Balla se çfarë do të bëjë pas Kongresit, ku iu hoq mundësia për të garuar për kreun e PS, tha se do të vazhdoj të eci, mbase me hapa më të ngadaltë.
Përmes një krahasimi ai tha, nëse dikujt i vidhet biçikleta nuk është faji i tij por i hajdutit, kështu është edhe me PS dhe Edi Ramën, nuk është faji im se ai vodhi zgjedhjet tha Blushi.
Pyetjes së Ballës se çfarë do të bëni tani që u kanë vjedhur “biçikletën”, Blushi tha se “natyrisht se do të vazhdoj të eci, mbase më ngadalë, por do të eci…”.