Quantcast
Channel: Politika – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 8143

Veliaj: Këndin e lojërave e mbarojmë për 9 javë

$
0
0

Erion VeliajKryetari i Bashkisë së Tiranës ka konfirmuar se projekti do të vazhdojë, ndërsa ka sqaruar se ai ka leje nga KKT dhe ka mirëkuptimin e Ministrisë së Mjedisit. Ai sqaroi se vendimi i KKT-së ka vetëm firmat e ministrave që ishin të pranishëm.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është i vendosur të mos bëjë asnjë hap pas sa i përket projektit të këndit të lojërave të fëmijëve në parkun e Liqenit.

Gjatë një interviste në “Top Story”, kryebashkiaku i Tiranës konfirmoi se projekti do të vazhdojë, ndërsa i cilësoi reagimet e opozitës si pasojë e prekjes së interesave për çështje të tjera të ndryshme.

“Më vjen mirë që Tirana ka më shumë sesa 1 kantier dhe po punohet kudo tjetër, përveç ndalesave të vogla që ne kemi pasur te Liqeni, por edhe aty do rikuperojmë shumë shpejt dhe në krye të 9 javëve do kemi në datën 1 qershor një kënd lojërash për fëmijët, një hapësirë që e meritojnë. Reflektimi që kam është që, nëse punon në Shqipëri, e kam ditur më përpara, e kam provuar edhe në ministri, që sigurisht prish disa terezi, prish disa rehati. Kjo do të thotë që në qoftë se përpiqesh të ndryshosh diçka dhe ta kontrastosh me mënyrën sesi e bënte paraardhësi yt, kjo sigurisht që prish akoma më shumë rehati. Kështu që, kam qenë i vetëdijshëm për këtë, ndaj nuk më habit asgjë. I vetmi reflektim që kam është që po bëjmë gjënë e duhur. Nëse nuk do bënim asgjë, s’do kishte asnjë reagim”, -tha Veliaj gjatë intervistës.

I vetëdijshëm për pakënaqësitë që mund të krijojnë shumë vendimmarrje që ai ka ndërmarrë për projekte të ndryshme, ai theksoi se e rëndësishme është që shumica e qytetarëve e mbështesin.

“Ky nuk është konkurs bukurie. Nuk ka nevojë të më duan të gjithë. Ne duhet që të kemi mbështetje nga shumica e qytetarëve që do ligj, që do shtet, që hapësira publike t’i kthehet publikut”, -shtoi Veliaj.

Lidhur me qëndrimin e shoqërisë civile, ai theksoi edhe një herë se mbetet i hapur për të dialoguar.

“Nëse dikush thotë, e kam qëllim në vetvete dhe refuzoj dialogun, unë nuk mund të detyroj dikë të dialogoj me zor, por ajo që kam detyrim është që në çdo studio, përfshirë edhe këtë të sotmen të jem i hapur për çdo transparencë”, -tha Veliaj.

Ai ka shtuar se pavarësisht zërave kritikave, ky projekt ka qenë pjesë e programit të tij dhe është konsultuar gjerësisht me njësitë e Tiranës.

“Besoj që ka ardhur një moment që ne duhet të thyejmë disa mite rreth këtij projekti. Miti i parë ishte që ky projekt nuk ka leje ndërtimore. Ja ku është leja e ndërtimit, e kam sjell për ju këtu, e firmosur nga sekretaria e KKT-së, e cila parashikon me ligjet e shtetit shqiptar që ka një leje”, -shtoi kryetari i Bashkisë.

Duke sqaruar çështjen e lejes dhe vendimin e KKT-së, ai theksoi se atë e kanë firmosur vetëm ata ministra që kanë qenë atë ditë në Shqipëri, përfshi këtu edhe ministrin e LSI-së Edmond Panariti.

“U tha që s’ka vendim, por realisht ka një vendim të KKT, nënshkruar nga kryetari i KKT-së, Kryeministri i vendit Edi Rama, sigluar nga sekretaria e KKT dhe ministria përgjegjëse. Dhe ka edhe të ministrave që kanë qenë prezent atë ditë në Shqipëri, përfshirë edhe zotin Panariti. Edhe ministri i Mjedisit provon që në fakt për këtë ndërhyrje, që nuk është pallat, nuk është ndërtesë, nuk kemi nevojë fare për diçka të tillë e megjithatë ne e kemi bërë. Ka rënë çdo alibi”, -u shpreh Veliaj.

Pyetjes se pse ky kënd lojërash nuk bëhet në një vend tjetër, siç është edhe pjesa poshtë digës, Veliaj tha “që në asnjë park të botës fëmijët nuk luajnë në pikë të diellit”.

Ai u shpreh i sigurt se i gjithë debati për parkun ka prapavijë politike.

“Mendoj dhe jam 100 % i sigurt. Ti mendon se u bë dashnor i mjedisit Çim Babasi, i cili shkatërroi gjithë malet e Skënderbeut në Krujë dhe pasi humbi parkimin te Stadiumi Dinamo po u qan hallin pemëve? Kjo është me axhendë”, -tha Veliaj.

Ai ka hedhur poshtë edhe çdo aludim se te pjesa e Gardës do të ndërtohen disa pallate, duke ritheksuar edhe një herë se nga 6 ha që ka Garda 5.5 ha i shkojnë parkut.

“Në gjysmën e ha që ka mbetur, bëhet fjalë të ngeli 1 ndërtesë. Një ndërtesë ku të kesh të gjithë zyrat e shtetit”, theksoi Veliaj.

Ai ka folur edhe për çështjet e tjera të mprehta që kanë shkaktuar debat gjatë këtyre muajve, siç është edhe ajo e çmimit të biletës së urbanëve për të cilën theksoi se ishte një nga vendimet më pak të këndshme që ka marrë si kryebashkiak.

“Unë e di që duhet të marr çdo ditë vendime jo gjithmonë të këndshme dhe ky ka qenë një nga vendimet më të pakëndshme që kam marrë. Në fakt e mori Këshilli Bashkiak, por duhet të propozonim një zgjidhje se ndryshe shkonim në kolaps dhe ne nuk na interesonin kompani të falimentuara, pasi ne vetë nuk kishim autobus. Shumë shpejt ne do të propozojmë 20 linja për Tiranën që do të thotë do shtohet kombinimi i linjave. Gjithashtu ne do të rilicencojmë kompanitë, do t’i fusim në një proces gare, ku nuk do të jenë më kontratat e vjetra, por do të jenë kontrata të reja ku do të ketë detyrime dhe përgjegjësi për kompanitë, si në mjete, si në frekuencë, si në cilësinë e shërbimit dhe në pjesën e territorit që do mbulojë pasi Tirana nuk është më ajo e vijës së verdhë”, tha kryetari i Bashkisë.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 8143