Komisioneri për Zgjerimin i BE, Johannes Hahn kërkoi që Shqipëria ta miratojë brenda pranverës reformën në drejtësi, duke e cilësuar atë vendimtare për çeljen e negociatave.
Komisioneri për Zgjerimin i Bashkimit Europian, Johannes Hahn i kërkoi politikës shqiptare të miratojë brenda pranverës reformën në drejtësi, si kusht për çeljen e negociatave për integrimin e vendit. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, Hahn e cilësoi reformën në drejtësi si elementin kyç të pesë prioriteteve që Shqipëria duhet të plotësojë.
“E ardhmja europiane e Shqipërisë duhet të jetë interesi kombëtar i këtij vendi. Na duhen vendime shumë shpejt, në mënyrë që të vazhdojmë punën me udhërrëfyesin që kemi në mendje,” tha Hann. “Kjo është vendimtare”!
Para konferencës për shtyp me Ramën, komisioneri për Zgjerimin ishte i pranishëm në tryezën e Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të opozitës. Përveç reformës në drejtësi, në këtë tryezë u diskutua edhe për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit apo nevojën për një reformë të shpejtë zgjedhore.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi çeljen e negociatave si stacionin e radhës për Shqipërinë, ndërsa premtoi vullnet për dialog me opozitën për zgjidhjen e çështjeve më të nxehta të debatit politik në Shqipëri. Në fjalën e tij, Rama ftoi opozitën për një tryezë dialogu.
“Bazuar në eksperiencën shumë pozitive të dialogut të nivelit të lartë, sot ftoj hapur dhe në sytë e Hahn, PD dhe lidershipin e saj që të ulemi në tryezë mes nesh, pa praninë e çmuar të miqve dhe jemi të gatshëm të dëgjojmë me vëmendje dhe respekt PD. Unë besoj që ekziston mundësia që mosdakortësitë tona t’i trajtojmë në mënyrë të civilizuar”,- tha Rama.
“Gjuha e kushteve dhe kërcënimeve është e drejtë e çdo pale, por duhet të ulemi në tryezë së bashku”,- shtoi ai.
Kryeministri Rama tha se procesi i reformës në drejtësi ka hyrë në miljen e fundit, ndërsa shprehu gatishmërinë e tij për t’u ulur në tryezën e dialogut. Nga ana tjetër, Rama tha se kjo reformë nuk mund të kushtëzohet nga axhenda e ditës e partive politike.
I pyetur për datën e ardhshme të Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE, komisioneri Hahn u përgjigj se nuk është ende e përcaktuar. “Ndoshta marsi i vitit 2017”,- tha ai. Por zyrtari i lartë i Bashkimit Europian nënvizoi se integrimi është një proces i gjatë.
“Çelja e negociatave është një datë, por duhet të fokusohemi te procesi. Vendi duhet ta nisë këtë proces, që të shohim rezultate dhe të bëjmë analizat përkatëse”,- përfundoi Hahn./BIRN/