Quantcast
Channel: Politika – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 8143

Duka: Duma nuk humbi për cilësitë që ka

$
0
0

grida dumaDeputeti i Partisë Republikane, Agron Duka është i mendimit se nuk ishin cilësitë e kandidates demokrate, Grida Duma, që çuan në humbjen e të djathtës në bashkinë Durrës.

Në një intervistë të gjatë për “Tema Tv”, Duka është pyetur nëse ishte cilësia e kandidatëve që çoi humbjen e opozitës në disa bashki e konkretisht në Durrës, ku ai ishte një ndër kandidatët e përfolur para se të zyrtarizohej emri i Grida Dumës.

“…Unë kam qenë një nga kandidatët e mundshëm, ndoshta Partia Demokratike duhet të ishte më fleksibël në përcaktimin e marrëdhënieve të koalicioneve dhe të mblidhte sa më shumë drejt vetes aleatët e saj, dhe jo të largoheshin siç ishte rasti i PDK-së, apo ndonjë rast tjetër sporadik, por gjithsesi për sa i përket pyetjes suaj direkte në mënyrë absolute, them që nuk ishte arsye cilësia e kandidatit, sepse cilësia e kandidatit të Partisë Demokratike, zonja Duma plotësonte të gjitha kriteret. Sipas mendimit tim ajo vinte me kontribute nga Partia Demokratike”, tha Duka.

Më tej ai shtoi: “Grida (Duma) sipas konceptit tim…, me kontributin në Partinë Demokratike, me formim akademik, njeri që ka treguar që di të menaxhojë për aq kohë sa ka punuar në strukturat shtetërore, njeh jetën politike shumë mirë, kështu që unë mendoj se cilësia e kandidates të së djathtës në Durrës nuk linte për të dëshiruar, përkundrazi ndoshta po të bëhej një krahasim i tillë me emrin tim, unë mendoj se ishte më lart se unë me këto tregues që thamë…”.

Duka theksoi gjatë intervistës se në Durrës ka pasur paradokse në zonat ku është votuar dhe jo vetëm.

“Grida (Duma) nuk kishte as mundësi financiare të përballonte fushatën krahasimisht me kundërshtarin e saj, i cili hodhi shumë para, sipas meje. Nuk është hera e parë që e them se bleu shumë vota, kështu që përballja nuk ishte e barabartë. Po të bëjmë një analizë gjithmonë sipas meje, në të gjitha ballafaqimet publike, mediatike, me analistë dhe gazetarë të ndryshëm, të cilët e kanë formimin më shumë sesa një votues i nivelit mesatar, apo jo, sepse analistët dinë të bëjnë analiza përtej pikëpamjeve politike, gjithmonë Grida përkrahej nga opinioni gazetaresk, ndërsa në të gjitha rastet, Dako pothuaj ka hasur probleme në të gjitha ballafaqimet me gazetarët…”, tha ai.

Deputeti republikan theksoi gjatë intervistës se ishin disa arsye që çuan në humbjen e zgjedhjeve të opozitës dhe një prej tyre ishte edhe ndarja e re territoriale.

“…Opozita e refuzoi dhe sipas mendimit tim bëri gabim, sepse nëse opozita kishte si qëllim strategjik të hynte në zgjedhjet vendore duhej patjetër të merrte pjesë në komision. Përderisa nuk mori pjesë në komision, maxhoranca bëri si të dojë. Kushdo që të ishte ashtu do të bënte, pra përveç ndarjes administrativo-territoriale bëhet edhe një ndarje sipas leverdive elektorale, atëherë ky ishte një gabim tjetër i opozitës, i lidershpiit të opozitës sipas mendimit tim. Arsyeja tjetër është edhe ajo që thoni ju dhe ajo që përdor opozita. Pra e vërtetë është që në disa nga bashkitë kryesore, jo në të gjitha, sepse faktikisht unë nuk e di çfarë ndodh në të gjithë Shqipërinë, ka ndodhur ajo që janë përdorur para, janë blerë vota etj. Domethënë lufta nuk ka qenë e barabartë”, tha ai.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 8143