Kryetari i Partisë Demokratike e la të hapur derën e dialogut, pasi u pyet nga gazetarët në lidhje me letrën që i ka dërguar kryeministri Edi Rama për një tryezë të përbashkët.
“Nuk i mbyll kurrë derën dialogut dhe i jap një shans konsensusit”.
Por Lulzim Basha e thumboi këtë metodë komunikimi, kur tha se letra është bërë publike pa i shkuar atij në dorë më parë.
Në takimin me të rinjtë e Partisë Demokratike të ndaluar nga policia gjatë protestës për parkun e lojrave tek kodrat e Liqenit, Lulzim Basha u pyet nga gazetarët në lidhje me ftesën e kryeministrit.
“Së pari më duhet ta lexoj njëherë letrën, pastaj të flas për të. Të lexoj letrën njëherë, pastaj do t’i kthej përgjigje. Brenda ditës do t’i kthej përgjigje”, tha ai.
Basha përsëriti thirrjet ndaj maxhorancës të plotësojë, ato që i quajti detyrime kushtetuese, duke iu referuar këtu dërgimit në Gjykatën Kushtetuese të mandateve të dy deputëtëve, Rakip Suli dhe Valentina Leskaj, që opozita akuzon për shkelje të ligjit.