Ish-ministri i Jashtëm i Gjermanisë dhe shefi i Liberalëve të FDP, Hans-Dietrich Genscher ndërroi jetë në moshën 89-vjeçare.
Lajmin e bëri të ditur zyra e tij në Bon.
Genscher ishte një emër i njohur dhe i dashur për shqiptarët.
Ai lindi më 21 mars të vitit 1927 në Halle.
Genscher u bë i famshëm në botë si ministri i Jashtëm federal nga viti 1974 deri në vitin 1992.
Ai njihej edhe si njeri me reputacion në vendosjen e paqes.
Në Perëndim njihej edhe si Supermeni.
Shumicën e kohës gjendej në avion për udhëtimet e tij, aq sa thuhet se atë kohë doli një batutë për të: Takohen dy avionë mbi Atlantik: në të dy gjendej Genscher.
Genscher e vizitoi Tiranën për 6 orë më 23 tetor 1987.
Më pas e vizitoi në vitin 1992.
Gazeta austriake, Kurier, duke kujtur atë vizitë, thotë se shqiptarët e pritën si çlirimtarët.
Sipas saj, për shkak se nuk kishte flamuj gjermanë, shqiptarët vendosën bluza të verdha nëpër rrugë për pritjen e tij.
Një muaj pas vizitës në Shqipëri dhe inaugurimit të sheshit “Hans-Dietrich Genscher”, ai dha dorëheqjen.