Quantcast
Channel: Politika – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 8143

Blushi: 20 arsye për të bojkotuar referendumin

$
0
0

blushi-hafiziDy deputetët socialistë kanë nisur nga Shkodra fushatën e tyre kundër referendumit. Ata kanë paraqitur edhe një dokument me 20 arsye pse socialistët duhet të jenë kundër referendumit

Ndërsa Partia Socialiste ka nisur përgatitjet për të organizuar Referendumin e 9 Prillit me anë të të cilit do të kërkohet mendimi i anëtarësisë nëse mandati i Edi Ramës si kryetar partie është legjitim ose jo, kundërshtarët e tij brenda kësaj force kanë nisur fushatën për ta kundërshtuar këtë rrugë si të padrejtë dhe jostatutore.

Deputeti Ben Blushi dhe kolegja e tij Mimoza Hafizi kanë nisur dje nga Shkodra fushatën e tyre kundër referendumit.

Ata kanë zhvilluar dje një takim me socialistë shkodranë, ku dhe kanë shpjeguar arsyet pse socialistët duhet të jenë kundër këtij referendumi.

Dhe sipas dy deputetëve socialistë që kanë ndërmarrë këtë nismë janë plotë 20 arsye pse ky referendum nuk duhet të mbahet, të cilat ata i kanë shpërndarë për gazetarët edhe në formën e një dokumenti.

Kështu Blushi dhe Hafizi theksojnë se socialistët duhet të jenë kundër Referendumit, në radhë të parë sepse në Kongresin e Partisë Socialiste, 19 Mars 2016, ky Referendum u votua në kundërshtim të plotë me normat e PS dhe sepse vet Kongresi u zhvillua mbi bazën e një rendi dite të përcaktuar më parë, pa u lejuar të ndryshohet dhe të hidhej në votim kërkesa e një grupi delegatësh për shtesa në rendin e ditës.

Gjithashtu, në arsyet e tyre kundër referendumit dy deputetët që kanë ndërmarrë këtë fushatë theksojnë se në rendin e ditës nuk u përfshi detyrimi statutor për hapjen e procedurës së zgjedhjes së Kryetarit të Partisë Socialiste, ndërkohë që kryetarit i kishte mbaruar mandati prej 3 vitesh, ndërkohë që Kongresit iu imponua iniciativa e një delegati të vetëm për referendum, ndërsa Statuti parashikon që iniciativa referendare i takon Asamblesë Kombëtare dhe me kërkesën e 20% të anëtarësisë së partisë.

Po ashtu, Blushi dhe Hafizi theksojnë se data e Referendumit u vendos në kundërshtim me Kodin e Zgjedhjeve në PS, i cili përcakton që referendumet nuk mbahen dy muaj para ose dy muaj pas Kongresit dhe se Kongresit nuk iu dha e drejta të njihej dhe të shprehej për pyetjen që do të shtrohej në Referendum.

Më tej, dy deputetët socialistë kundërshtojnë referendumin edhe sepse ata vazhdojnë të besojnë se ky Referendum tenton të zëvendësojë procesin e zgjedhjes së Kryetarit të Partisë Socialiste, duke i hequr të drejtën e votës dhe kandidimit anëtarëve të Partisë Socialiste.

Ndërkohë që në një deklaratë për mediat, deputeti Ben Blushi theksoi edhe një herë se ky referendum u heq të drejtën e votës anëtarëve për zgjedhjen e kreut të PS-së.

Ndaj ai theksoi se do të kundërshtojë çdo parregullsi në zbatim të Statutit, ndërsa shtoi se “Rama s’ka respekt për vetveten dhe do të nxjerrë anëtarët e PS-së në votim, duke i kërcënuar me heqje nga puna për ta çuar pjesëmarrjen në 90 %, në një kohë kur pjesëmarrja në zgjedhjet lokale dhe parlamentare ka qenë nën 50 %”.

 

 

20 Arsyet e Blushit pse Jo referendumit të 9 Prillit!

  1. Sepse në Kongresin e Partisë Socialiste, 19 Mars 2016, ky Referendum u votua në kundërshtim të plotë me normat e PS.
  1. Sepse Kongresi u zhvillua mbi bazën e një rendi dite të përcaktuar më parë, pa u lejuar të miratojë rendin e tij të ditës.
  1. Sepse pati kërkesë të një grupi delegatësh për shtesa në rendin e ditës, e cila nuk u lejua të votohej.
  1. Sepse në rendin e ditës nuk u përfshi detyrimi statutor për hapjen e procedurës së zgjedhjes së Kryetarit të Partisë Socialiste, ndërkohë që kryetarit i ka mbaruar mandati prej 3 vitesh.
  1. Sepse Kongresit iu imponua iniciativa e një delegati të vetëm për referendum, ndërsa Statuti parashikon që iniciativa referendare i takon Asamblesë Kombëtare dhe me kërkesën e 20% të anëtarësisë së partisë. Iniciativa u shpreh në fund të punimeve të Kongresit dhe jashtë rendit të ditës.
  1. Sepse data e Referendumit u vendos në kundërshtim me Kodin e Zgjedhjeve në PS, i cili përcakton që referendumet nuk mbahen dy muaj para ose dy muaj pas kongresit.
  1. Sepse Kongresit nuk iu dha e drejta të njihej dhe të shprehej për pyetjen që do të shtrohej në Referendum.
  1. Sepse pyetja e bërë publike pas Kongresit është formuluar në kundërshtim me Statutin, nga njëri prej drejtuesve të seancës, i cili nuk ka të drejtë as të formulojë e as të shpallë pyetjen e referendumit.
  1. Sepse sipas Statutit njihen dy forma referendumesh, këshilluese dhe vendimmarrëse, të cilat vendosen në Kongres. Kongresi i 19 Marsit nuk u shpreh për formën e këtij referendumi, që do të thotë se vendimi i zbardhur, i cili parashikon formën vendimmarrëse është antistatutor.
  1. Sepse Kongresi nuk u lejua ta miratojë nen për nen Statutin e ri, çka vë në diskutim çdo vendim të marrë për këtë referendum.
  1. Sepse Kongresi ka zgjedhur si anëtarë të Asamblesë Kombëtare shumë persona të antarësuar në parti, vetëm disa ditë para Kongresit, ndërkohë që neni 41.4 i Statutit kërkon një përvojë trivjeçare në parti të anëtarëve të Asamblesë Kombëtare.
  1. Sepse Kongresi ka zgjedhur si anëtarë të Asamblesë Kombëtare shumë nëpunës të shërbimit civil, ndonëse neni 41.4 i Statutit e ndalon.
  1. Sepse në këtë Referendum është mohuar e drejta e fushatës për alternativat e ndryshme.
  1. Sepse, ndonëse Kodi Zgjedhor i PS, në nenin 55.6, parashikon që “Alternativat referendare kanë të drejtë të kenë vëzhguesit e tyre në tërë nivelet e Komisioneve të zgjedhjeve”, kjo e drejtë është shkelur.
  1. Sepse lista e zgjedhësve që kanë të drejtë të shprehen në Referendum, e cila sipas Kodit Zgjedhor duhet të përfshijë vetëm anëtarët e partisë deri më 31 dhjetor 2015, nuk është bërë publike.
  1. Sepse ky Referendum tenton të zëvendësojë procesin e zgjedhjes së Kryetarit të Partisë Socialiste, duke i hequr të drejtën e votës dhe kandidimit anëtarëve të Partisë Socialiste.
  1. Sepse Statuti i ri nuk u lejua të kalojë nen për nen në Kongres, për të fshehur ndryshimet thelbësore të bëra projektit të miratuar në Asamblenë Kombëtare. Ndryshimet pa autorësi që iu bënë Statutit të ri synojnë t’i japin mandat të përhershëm Kryetarit të partisë, i cili jo vetëm që nuk votohet, jo vetëm që mandatin nuk e fiton me zgjedhje, por as nuk dorëhiqet kur partia humb në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.
  1. Sepse në variantin e Statutit që miratoi Asambleja Kombëtare, shkruhej “Mandati i Kryetarit të Partisë ndërpritet kur Partia humbet zgjedhjet e përgjithshme“, ndërsa në variantin që u kalua pa votim nen për nen në Kongres, shkruhet se “Mandati i Kryetarit të Partisë ndërpritet kur Partia humbet vendin e parë në zgjedhjet e përgjithshme”.
  1. Sepse historikisht, që nga krijimi i saj, Partia Socialiste është votuar nga shqiptarët si forcë e parë politike në vend, çka përforcon bindjen se neni më sipër është ndryshuar për ta kthyer në të përhershëm mandatin e Kryetarit të partisë.
  1. Sepse sipas nenit 40.6 të Statutit, të pamiratuar në Kongres “Kur partia është në qeveri dhe Kryetari i saj zgjidhet kryeministër, zgjedhjet për Kryetarin e partisë do të zhvillohen vetëm nëse kërkohet nga të paktën 10% e delegatëve dhe kërkesa merr mbështetjen e shumicës së delegatëve të kongresit në votimin që zhvillohet në Kongresin vjetor të partisë”, u jepet mundësia partive të koalicionit të vendosin për Kryetarin e Partisë Socialiste, mundësi që u hiqet anëtarëve të Partisë Socialiste.

 

fleta e votimitPublikohet fleta e votimit të Referendumit, ja për çfarë do pyeten socialistët

Është bërë publike dje fleta e votimit që do të përdoret në Referendumin e datës 9 Prill për konfirmimin e mandatit të Edi Ramës si kryetar partie. Ka qënë Taulant Balla ai që ka bërë të njohur fletën e votimit, duke e postuar atë në faqen e tij në rrjetin social Facebook, ku dhe shprehej se “Më 9 prill socialistët në mbarë Shqipërinë shprehin mendimin e tyre në një referendum partiak. Një proces i rëndësishëm, ashtu si në partitë e mëdha progresiste europiane dhe amerikane, ku vendimmarrjen e ka anëtarësia”. Sipas fotos së fletës së votimit të publikuar nga Balla, anëtarësia nuk do pyetet në mënyrë konkrete për mandatin e Ramës, pavarësisht se është ai që e ka kërkuar referendumin, por do pyetet në lidhje me debatin nëse konsiderohet i rinovuar mandati i kryetarit të partisë kur ai zgjidhet kryeministër ose jo. “Kur Partia Socialiste është në qeveri dhe kryetari i saj është zgjedhur kryeministër, a konsiderohet i rinovuar automatikisht mandati i kryetarit?”, -pyetet në fletën e votimit.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 8143