Prej një jave nuk ka qenë i pranishëm nëpër televizione, por një filmim amator e ka sjellë sërish kreun e qeverisë në vëmendjen e medias në këto ditë pushimesh gushti.
Kryeministri Edi Rama është parë pasditen e së enjtes në Kavajë në krah të kryebashkiakut të rizgjedhur, por dhe të shumëpërfolur, Elvis Roshi.
Të dy kanë pirë kafe në një lokal të hapur në qender të qytetit. Të ekspozuar ndaj publikut, gjatë bisedës mes tyre, Rama dhe Roshi janë ndërprerë disa herë nga kalimtarë të ndryshëm, që kanë dashur t’i takojnë.
Në takimin e fundit me gazetarët në fund të korrikut, kryeministri Rama tha se do t’i kalojë pushimet brenda vendit, në bregun e Vunoit, bashke me familjen e tij, për shkak të djalit të vogël, Zaho.
PD ka reaguar me një deklaratë pasi Rama u shfaq në krah të Roshit.
“Edi Rama u shfaq sërish si mbrojtës i krimit në politikë, pikërisht pasi Partia Demokratike paraqiti publikisht platformën e dekriminalizimit. Duke dalë nëpër ambjente publike në krah të kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Edi Rama po sfidon qytetarët, opozitën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e partnerët europiane, të gjithë të angazhuar e me vullnet të qartë për ta pastruar politikën e zyrat publike nga personat e inkriminuar e me precedentë të tmerrshëm penale.
Platforma e dekriminalizimit sjell ndërprerjen e menjëhershme të mandatit të të zgjedhurit të tij në Kavajë, por dhe në parlament, bashki e zyra të tjera, por Edi Rama ka preferuar t’i japë garanci njeriut të tij të dënuar për trafik droge në zvicer, duke kaluar pushimet me të e duke u shfaqur me të në sytë e qytetarëve. Me besnikërinë e shfaqur ndaj Roshit, Edi Rama dëshmoi se është kundër dekriminalizimit, dhe mbetet promotor i palodhur i krimit në politikë e administratë. Çlirimi i politikës dhe i zyrave publike nga krimi nuk ka për t’u mbajtur dot peng nga Edi Rama.
Partia Demokratike është më e vendosur se kurrë ta çojë përpara procesin jetik të shkëputjes së vendimmarrjes nga krimi, nga soji i Roshit, Ndokës, Bushit e qindra ta tjerëve që kanë kapur pushtetin përmes Edi Ramës. Nëse vendos të mbrojë deri në fund krimin, Edi Rama do të ketë fatin e tyre. Vullneti i shumicës së shqiptarëve që kanë në krah partnerët ndërkombëtarë nuk ndalet dot nga aleanca në minorancë e krimit,” thuhet në deklaratën e PD.