Mjerë ai që me dorën e tij ka firmosur një shkresë ku ka korrupsion! Kështu u shpreh deputeti i Partisë Socialiste Pjerin Ndreu duke ju referuar pasojave që do të ketë ndaj zyrtarëve miratimi i reformës në drejtësi dhe Byrosë së Hetimit, institucion që heton zyrtarët e lartë.
“Në rrjedhën e byrosë së hetimit do bien të gjithë. Depozitimi i parave, deklarimi i pasurive, marrëdhëniet e dyshimta, koncesionet e dyshimta… Në Shqipëri, krimi i organizuar ka përmasa të mëdha”. tha Ndreu për Report TV.
Ndërsa, për korrupsionin, Ndreu tha se është një problem që “zë peshë” dhe është krijuar me kohën. Por, shtoi se ashtu si krimi i organizuar e pandëshkueshmëria, edhe korrupsioni do të luftohen nga byroja e hetimit.
“Korrupsioni i madh i lë hapësira krimit të organizuar. Paratë e krimit të organizuar duhet të pastrohen. Ka ndodhur kur eksponentë të krimit kanë qenë përkrah politikës…është Byroja e hetimit që do t’i çojë përpara drejtësisë”, tha ai.