“Ndryshe nga se propagandon qeveria se rishikimet nuk prekin prioritetet e kësaj mazhorance, akti normativ do të prekë në mënyrë të drejtëpërdrejtë, duke përgjysmuar me 50% fondin e investimeve në fushën e shëndetësisë. Duke e ulur këtë fond nga 18 miliardë lekë në 9 miliardë lekë. Investimet në fushën e arsimit, një tjetër prioritet i qeverisë në kontratën me shqiptarët, do të shkurtohen me 36%”
Partia Demokratike deklaron se përkundër asaj që pretendon qeveria, shkurtimet e buxhetit prekin më së shumti prioritetet dhe premtimet e kësaj mazhorance.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi dje përmes një konference për shtyp se politikat fiskale dhe ekonomike, të nisura këtu e dy vjet më parë sollën dështimin e plotë të parashikimit qeveritar se ekonomia në fund të mandatit të parë do të kishte një rritje prej 4%. ”Në gjashtë muaj të këtij viti, rritja e taksave, një administratë e korruptuar e cila përdor kërbaçin si kërcënim dhe agjencitë qeveritare si dogana edhe tatimet që dështojnë nga muaji në muaj në realizimet e tyre, i kanë sjellë arkës së shtetit 13.4 miliardë lekë më pak të ardhura. Megjithëse, ky ka qenë viti i dytë në radhë, në të cilin qeveria ka rritur taksa që ndikojnë drejtë për drejtë në xhepin e konsumatorëve dhe në ciklin ekonomik të vendit, ku një sërë taksash si tatimi mbi fitimin, dividendin, qeraja, tatimi mbi të ardhurat personale u rritën me 50%, taksa e qarkullimit me 240 lekë etj.
Me paturpësinë më të madhe, kryeministri i vendit për dy orë me radhë paraqiti fakte që flisnin për një rritje ekonomike të vendit, kur pak kohë më parë në fshehtësi të plotë kishte miratuar Aktin Normativ të radhës. Përmes të cilit kishte shkurtuar buxhetin me 3.92%. Akti i Normativ, i miratuar në fshehtësi të plotë, ka vulosur uljen me rreth 25 mld lekë shpenzimet qeveritare”, – tha ajo. Tabaku nënvizon se,“buxheti i ri do të zvogëlojë me 2.67 miliardë lekë (18%) investimet në ujësjellësa dhe kanalizime, sikundër do të shkurtojë me 1.79 miliardë lekë (8.7%) investimet në infrastrukturën rrugore. Sektori prioritar i bujqësisë, që këtë vit duhet të pësonte një rritje, do të ketë 520 milionë lekë, 26% më pak investime për një nga sektorët që aq shumë përzemër e kishin si mazhorancë”. “Ndryshe nga se propagandon qeveria se rishikimet nuk prekin prioritetet e kësaj mazhorance, akti normativ do të prekë në mënyrë të drejtëpërdrejtë, duke përgjysmuar me 50% fondin e investimeve në fushën e shëndetësisë. Duke e ulur këtë fond nga 18 miliardë lekë në 9 miliardë lekë. Investimet në fushën e arsimit, një tjetër prioritet i qeverisë në kontratën me shqiptarët, do të shkurtohen me 36% apo 1.3 miliardë lekë më pak për investime për të rinjtë dhe të rejat në fushën e edukimit”, – tha ajo. Tabaku thekson gjithashtu se, sipas buxhetit të rishikuar, qeveria do të ulë me 800 milionë lekë shpenzimet për sigurimet shoqërore. “E gjithë kjo situatë, vjen si pasojë e një politike fiskale abuzive që do të sjellë si përfundim kolapsin e plotë ekonomik dhe fiskal të një shteti që vuan nga paaftësia dhe nga abuzimi administrativ. Nuk është çudi që për dy vite me kokëfortësi insistuan që rritja e taksave nuk do kishte ndikim, ndërkohë që informaliteti është rritur në shifra alarmante, kreditimi i ekonomisë ka rënë, depozitat kanë rënë. Për këtë arsye alternativa e propozuar nga ne, alternativa e taksës së sheshtë 9% do të sjellë frymëmarrje për ekonominë, duke i dhënë mundësi biznesit të rigjenerohet nga këto dy vite krize e do ta bëjë Shqipërinë përsëri konkuruese në rajon”, tha ajo.
Sipas saj, Akti Normativ është dëshmia e dështimit të politikave të kësaj qeverie.