Zërat publik për një krisje në shumicë janë shtuar dhe shumë flasin për një ftohje mes dy liderëve që mund të ndryshojë panoramën politike në shtator. A po shkon koalicioni qeverisës drejt divorcit dhe cili do të ishte fundi i tij?
Nga Vladimir Karaj
Zërat për një tradhti të mundshme apo divorc që do i jepte fund bashkëqeverisjes PS-LSI janë shtuar. Shumicës nuk janë duke i shkuar punët mirë me veten. Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Kuvendit Ilir Meta duket po kalojnë një periudhë ftohje në raportet politike që mund ta ketë nisjen që para zgjedhjeve lokale dhe që duket u thellua pas përfundimit të tyre. LSI la qartë të kuptohej se nuk qe e kënaqur se si funksionoi koalicioni në disa bashki që ajo i humbi edhe pse bastione të së majtës. Por as PS nuk ka qenë e lumtur me rrjedhjen e votës së koalicionit që nuk u shkoi kandidatëve të saj. Kësaj i janë shtuar probleme më të hershme dhe me gjasë edhe disa të reja. Mediat kanë raportuar se kryeministri në prag të nisjes së reformës në drejtësi do të donte që ajo të drejtohej prej një të besuari prej tij. Ndërkohë Meta nuk është aq entuziast për këtë zgjidhje. Kjo është me gjasë arsye pse lëvizjet e mundshme janë bllokuar. Zërat për ftohje dhe krisje të mundshme janë shtuar, ato kanë qenë gjithmonë të pranishme, duke folur për koalicione të mëdha PS-PD apo për një rikthim të LSI në krah të PD-së. Intriga mbështetet fort në krijimin prej Ramës të një baze të re aleance që përfshin PDIU dhe deputetë të tjerë për të nxjerrë jashtë loje Metën. Qartazi publikisht po artikulohet kriza që shume mendojnë se mund të përfundojë në divorc e të tjerë e shohin si një vijim normal i një qeverisje të majtë gjatë të cilave situatat të ngjashme nuk kanë munguar.
Gjuha në deklaratat publike tregon minimalisht një ftohje edhe pse kryeparlamentari foli për “marrëdhënie korrekte” as të ftohta as të ngrohta në një intervistë që shërbeu në fakt për të ndezur “fantazitë”. Ilir Meta kritikojë politikën e qeverisë me taksat. Qëndrimi i tij është shumë më afër opozitës në këtë rast. “Taksat e vendosura nuk po nxisin mjaftueshëm zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës”, tha Meta për Albania Dayli News. Në të njëjtën intervistë kryeparlamentari i doli “në krah” opozitës dhe mbajti qëndrim të ngjashëm me të sa i takon dekriminalizimit të politikës.
Meta foli për prekje të parlamentit aktual dhe po ashtu u duk në favor të qëndrimit të PD-së që kërkon të vendosë si standard për këtë rekordet kriminale dhe gjurmimin e kësaj përmes shenjave të gishtave. “Në këtë drejtim, është e qartë dhe besoj se ka një dakordësi të gjerë, që nuk mjafton më apo nuk duhet të mjaftojë më vetëm dëshmia e penalitetit për të qenë një kriter për t’u zgjedhur apo për t’u emëruar në një funksion publik”, tha Meta në një intervistë për Vizion Plus.
Ky qëndrim i fundit është e kundërta e asaj që ka këmbëngulur shumica deri tani. Ajo pretendon dhe është mbrojtur me “dëshmitë e penalitetit”, duke pretenduar se nuk ka të dënuar në radhët e saj. Por Meta është treguar i kujdesshëm për të mos e bërë të dukshëm ndasinë mes palëve. Në intervistën e fundit ai fliste për një dëshirë të gazetarëve që në kohë pushimesh të flasin për konflikte duke lënë të kuptohej se këto sajoheshin. Ndryshe mendon Lorenc Vangjeli gazetari dhe këshilltari i kryeparlamentarit Meta. Analisti i njohur për qëndrimet pro të majtës shkruante së fundmi për Javanews se “Dy drejtuesit e koalicionit të majtë nuk duket se janë në ditët më të mira të miqësisë së tyre politike”. Sipas Vangjelit kjo është edhe arsyeja pse ndryshimet në qeveri nuk do të ndodhin të paktën tani afër edhe pse Rama e kishte gati një projekt.
Ndërkohë ndërsa kanë qenë të njohur djathtas aludimet për një krizë mes shumicës qeverisëse ato po shtohen edhe majtas apo në gazetarë e analistë që e kanë mbështetur qeverinë. Sokol Balla në një shkrim po në Java parashikon një fuqizim të mëtejshëm të Ramës madje edhe një ndryshim të ligjit elektoral që do i përshtatej më fort dy partive të mëdha dhe do u jepte atyre mundësi të qeverisnin pas të tretin e bezdisshëm. Më interesant bëhet fakti se qoftë majtas dhe djathtas po flitet për një mundësi koalicioni të madh. Fatmir Mediu e hodhi këtë tezë te Mapo disa kohë më parë. Ai është pasuar po ashtu nga Balla që flet për një paqe mes PS dhe PD për të reformuar drejtësinë dhe ndryshuar kushtetutën.
Kjo në fakt është e reja e kësaj në dukje ftohje mes dy partive të mëdha në qeverisje. Më herët aludimet lakonin vetëm një koalicion të ri mes PD dhe LSI i cili po ashtu nuk mbetet jashtë shqyrtimit. Botuesi i djathtë Fahri Balliu lë të kuptohet në një intervistë për Mapo se mundësitë për të pasur një koalicion të dytë PD-LSI nuk duhen zeruar duke folur për zgjidhje në “interes kombëtar”. Për shumë zgjerimi i koalicionit të majtë në zgjedhjet lokale është parë si një formë presioni që Rama po bën ndaj Metës. Një plan për të siguruar deputetë mjaftueshëm që do mbanin në këmbë qeverinë deri në zgjedhjet e ardhshme. Afrimi i PDIU është parë shpesh si një mundësi e kësaj natyre edhe pse Rama do humbte shumicën e madhe qeverisëse dhe po ashtu do duhej të rinegocionte me të vetët e pakënaqur pushtetin që tani e garanton përmes koalicionit.
Nga ana tjetër jo pak do të ishin të kënaqur nga një fund i koalicionit. “Koalicioni është pa të ardhme. PS-LSI është një koalicion pa vlerë, pasi janë bllokuar reformat dhe nuk ka pasur barazi politike, që në momentet e nisjes. LSI i ka marrë PS ministri të rëndësishme si atë të Transporteve, të Bujqësisë. Ky është koalicion me fund të shpejtë. Në këto kushte, PS është e rrezikuar në vitin 2017. Pse nuk e ka zgjidhur Rama këtë? Është paaftësi politike. Rama nuk është politikan. Të shohim ç’do të bëjë”, thoshte ditë më parë avokati Spartak Ngjela po ashtu pjesë e koalicionit qeverisës me partinë e tij edhe pse mjaft kritik ndaj saj sidomos për afrimin me Metën. Deputeti i PD-së Kastriot Islami mendon po ashtu se situata në mazhoranc nuk është e mirë. Ndryshe nga Ngjela që beson se Meta po fiton në kurriz të Ramës dhe PS, Islami sheh një skenar të këtyre të fundit që do të ketë për viktimë LSI-në. “Marrëdhëniet PS-LSI duken së jashtmi të “ftohta” por ato janë “shumë të tensionuara” nga brenda”, thotë ai për Panorama. Sipas tij Rama kërkon “t’i shpëtojë sulmit të partnerëve per “de-oligarkizimin” e “grupit e të qeverisjes se tij” dhe ka kohë që përgatitur “skenarin back-up” kundër LSI”. Ai mendon se për këtë Rama ka negociuar dhe siguruar 72 votat që i duhen për të mbajtur qeverinë pa Metën. Islami po ashtu thotë se Rama sheh zgjidhjen për këtë fushatë kundër Metës te një koalicion i madh mes dy partive kryesore. Zyrtarisht ndërkohë PD është duke artikuluar më ashpër ndaj LSI. Përmes kreut të grupit parlamentar Edi Paloka apo përmes Sekretarit të Përgjithshëm Arben Ristani. Vetë Lulzim Basha apo të tjerë brenda PD-së nuk kanë bërë dallime mes dy partive në qeverisje duke u përpjekur edhe në artikulimin publik të mos e ndajnë Ramën nga Meta. “Rama-Meta” është një togfjalësh që u shpik prej opozitës pikërisht për të mos krijuar iluzione se ajo e ka mirë me njërin apo me tjetrin.
Por kjo e fundit nuk është se mund ta fshehë gjatë faktin se do i voliste një prishje e tillë që mund të rrezikojë qeverisjen e të majtës dhe që i shton shanset e PD-së për të qeverisur më 2017. Nga ana tjetër përtej retorikës PD nuk do të linte mënjanë asnjë prej versioneve të mundshme për koalicion apo bashkëpunim që do i jepnin asaj përfitim politik apo mundësi për të rimarrë qeverisjen e vendit.
Në fakt ishte rezultati i zgjedhjeve që rihapi sërish temën. Shumë kanë dyshuar se PS dhe LSI mund të shkonin kaq larg së bashku. Mjaft kanë pritur një krisje edhe më herët dhe nuk është e re në qytet të thuhet se një tension mes dy forcave në shumicë lexohet si në bazë ashtu edhe në qeverisje. Debatet në kuvend të deputetëve të LSI me ministrat kanë qenë të pranishme. Djathtas, që e shohin ndarjen e dy forcave si një mundësi të artë për t’iu afruar sërish pushtetit, ka gjithmonë një mani për lexime të krisjeve mes Metës dhe Ramës. Majtas nuk ka munguar shprehja e pakënaqësive për koalicionin që në momentin që ai u ngjiz.