Rishfaqet Nicholas Gage, këtë herë me një deklaratë pas vdekjes së Theodhori Bezhanit, themelues i organizatës OMONIA.
Presidenti i Federatës Panepiriote të Amerikës thotë se Bezhani, një luftëtar i paepur në mbrojtje të minoritetit grek në Shqipëri, humbi jetën në një aksident rrugor në Epirin e Veriut në moshën 81-vjeçare.
Bezhani humbi jetën në aksin Gjirokastër-Kakavijë.
Ai po kthehej në shtëpi pasi kishte shoqëruar disa amerikanë në rajonin e Pogonit.
Makina doli nga rruga dhe pasi u rrotullua tre herë, e vrau në vend Bezhanin.
“Ai ishte një aktivist i palodhur, që rrezikoi lirinë dhe jetën e tij kundër diskriminimit dhe persekutimit të minoritetit grek në Shqipëri. Vdekja e tij është një humbje e madhe për kauzën, të cilës i kushtoi jetën,” tha Gage.
“Bezhani ishte një nga pesë liderët e OMONIA-s, të arrestuar, torturuar dhe dënuar me vdekje pas akuzave false për tradhti në vitin 1994 pasi mbrojti grekët etnikë. Pesëshja e OMONIA-s u lirua pas dhjetë muajsh pasi Federata jonë organizoi një reagim ndërkombëtar për burgosjen e tyre të padrejtë,” vijon deklarata.
“Pavarësisht se vuajti në burg, Bezhani vazhdoi betejën e tij kundër padrejtësive të shkaktuara nga autoritetet shqiptare ndaj grekëve etnikë,” shtoi Gage.
Sipas Federatës, respekti që ai fitoi, bëri që tre kryeministra shqiptarë ta caktojnë vajzën e tij, Konstantinën si drejtore të Komitetit Shtetëror për Minoritetet në Shqipëri gjatë dhjetë viteve të shkuara.