Partia Socialiste dërgon në Prokurorinë e Përgjithshme denoncimin ndaj Sali Berishës, me tri akuza të rënda. Ish-kreu i qeverisë nuk “trembet”, por kundërpërgjigjet se nëse Rama do vazhdojë të mbajë pranë bandat, viti 1998 do i duket lule… Qëndrimet politike dhe prokuroria mes dy zjarresh.
Nga Sebi Alla
Janë orët e para të ditës, Partia Socialiste nëpërmjet deputetit të saj Taulant Balla dërgoi dje në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzimin penal ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
Kërkohet dënim, jo vetëm administrativ, (pasi atë e ka marrë me dhjetë ditë përjashtim nga punimet parlamentare), por vuajtje në burg.
Akuzat janë të rënda, si ajo e thirrjes për armatosje kundër rendit kushtetues, që dënohet nga pesë deri në dhjetë vjet burgim.
Socialistët nuk mjaftohen vetëm me këtë “dënim”, por i shtojnë denoncimit edhe dy akuza të tjera, që janë thirrje të bëra publikisht për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues, që dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet dhe përhapja e informatave të rreme me qëllim që të ngjallë një gjendje pasigurie dhe paniku te njerëzit, që dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Ish-kryeministri duhet të “lëkundej”…, akuzat janë të rënda nëse merren në konsideratë nga prokuroria. A do kishte një reflektim të tij?
Po, Berisha reagoi.
Pak orë pasi dosja u fshikullua në Prokurorinë e Përgjithshme, Berisha kaloi nga mbrojtja në sulm. Ish-kryeministri ka paralajmëruar kreun aktual të qeverisë Edi Ramën, se nëse do të vazhdojë të mbajë afër bandat, viti 1998 do t’i duket lule.
“I them Edi Ramës se armët nuk duhet t’i ketë kurrë frikë një qeveri e një vendi të lirë, por ta ketë të qartë se do t’i duket lule 98-ta çfarë do mund t’i ndodhë nëse ndërsen bandat e armatosura të tij. Pse e them këtë…Sulmet ndaj institucioneve janë gjithmonë të papranueshme. Prandaj po dal aty. E them këtë se në 98-n bëra gjithçka për ta kontrolluar, por nuk e kontrollova dot, por të jesh e sigurt që nga 98-ta e mbrapa, kush më nuk mund t’i kontrollojë. Po them nëse përsëritet, nëse përdor bandat e veta kundër opozitës e kam fjalën. Se duhet ta ndajmë, qytetarët nuk i konsideroj opozitë, qytetarët kanë një interes, nuk kanë interesin e opozitës por kanë interesin e sigurisë së tyre ndërsa opozita ka interesat e veta”.
Kështu deklaroi Berisha në studion televizive të ABC përballë gazetares Mimoza Koçiu.
E gjithë vorbulla që mbetet temë dite për diskutim po aq të ndezur, lidhet me deklaratën e ish-kryeministrit Sali Berisha, që bëri në parlament më 21 prill.
“Ju bëj thirrje qytetarëve, shqiptarëve, që për sigurinë e tyre të armatosen, të sigurojnë armë, për të mbrojtur veten, vatrat, pasuritë e tyre, sepse nuk kanë asnjë siguri.… Të armatosen, sepse armatosen amerikanët, armatosen të gjithë qytetarët që duan të mbrojnë veten e tyre dhe me urgjencë të sjellim ligjin. T’u japim të drejtë qytetarëve të mbajnë armë”.
Kjo qe deklarata e Berishës që u prit me reagim nga pozita, ndërsa aty për aty, deputetët opozitarë u munduan t’i bënin një mbrojtje të vogël liderit të tyre, teksa shpreheshin se po keqpërdornin deklaratën e Berishës, pasi nuk bëri thirrje për armatosje të dhunshme, por për një armatim me ligj.
Thirrja u interpretua nga mazhoranca si një shkelje kushtetuese dhe për këtë arsye mori masat e para.
U propozua Byrosë së Kuvendit që të merrej dhjetë ditë pezullim nga jeta parlamentare e Berishës dhe kjo u vendos, por me një ndryshim domethënës, pasi kreu i Kuvendit Ilir Meta votoi kundër përjashtimit të Berishës, paçka se vota e tij ishte në minorancë përballë aleatëve socialistë.
Ndërsa në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, që të gjithë në unanimitet përsëritën frazat kush e kush të binte më në sy, që pa Berishën as do shkelnin në dyert e Parlamentit, pasi për ta ai është lideri historik që duhet t’i udhëheqë në seancat kuvendore.
Nëse fillimisht u mendua se Berisha dhe të tijtë do bënin një “autokritikë” të butë, për ta veshur thirrjen për armatosje me veladonin e ligjit, kjo nuk po ngjan.
Ish-kryeministri është i vendosur që të mos tërhiqet, madje po përdor taktikën e sulmit.
“Gjëja e fundit që unë bëj kur flas është të flas spontanisht. Para se të shkoj në parlament, unë parapërgatitem, kurse si ide, kjo është e para disa muajve, që e përpunoj me veten time sepse unë gjykoj se sot asnjeri, përveç atyre që kanë roje, shumë roje, nuk ndihet më i sigurt në një kohë kur bandat dhe qeveria janë bërë një. Vijmë te thirrja ime. Thirrja ime vjen në një vend që u njeh të drejtën e armëve, të drejtën për të bërë kërkesë për armatosje qytetarëve edhe mbi bazën e kërcënimit personal” -deklaroi dje Berisha.
Me këtë, nënkuptoi se jo vetëm nuk ishte një lapsus, apo dalje nga vetja në një moment emocional, por diçka e menduar mirë.
Zhvillimet më të fundit me arrestimin e Emiljano Shullazit, i akuzuar për shantazh e gjobëvënie, apo edhe ndalimi i të dënuarit me burgim të përjetshëm në Holandë Arben Frroku, janë për ish-kryeministrin “motive” për të mbajtur situatën të ndezur.
Nga ana e saj, mazhoranca këmbëngul në të vetën se ish-kryeministri bëri një thirrje antikushtetuese dhe me këtë duhet të merret prokuroria.
Që nga dje prokurorët kanë në duart dosjen kundër Berishës dhe vendimi për ta marrë të pandehur apo për të mbyllur hetimet, në çdo rast nuk është aq i lehtë.
Barra të tilla për prokurorinë janë shumë të rënda, për aq kohë sa drejtësia dhe politika kanë qenë e vijojnë të jenë bashkë që drejtësi të pastër të mos ketë.
Prokuroria në çdo rast do “dënojë” veten…
Institucioni qendror i akuzës ka në duar dosjen e paraqitur nga Partia Socialiste, ku kërkon nisjen e procedimit penal për ish-kryeministrin Sali Berisha, të dyshuar për thirrje që çojnë në përmbysje të dhunshme të rendit kushtetues.
Nëse një mendje u thotë që të pranohet denoncimi dhe të merret i pandehur ish-kryeministri Sali Berisha, sigurisht që do të priten reagime.
Nga pjesa opozitare janë thuajse gati qëndrimet që do të mbahen, pasi do akuzohet pushteti i sotëm për kapje të institucioneve të pavarura.
Pa llogaritur këtu edhe pasojat që mund të vijnë nga militantët, në rast dënimi të ish-kreut të qeverisë, Sali Berisha.
Në hipotezën tjetër (deri tani më e mundshmja), Prokuroria e Përgjithshme do të pezullojë hetimet dhe nuk do nisë procedimin penal për Berishën.
Sërish edhe nëse vepron në këtë mënyrë, do ketë “shuplakën” nga pala tjetër.
Nga e majta, veçanërisht nga eksponentë të PS-së, do vijë reagimi që sistemi i drejtësisë është i kalbur dhe prokuroria nuk është në gjendje që të zbatojë ligjet e vendit.
Në të dyja rastet, sido që të veprojë, prokuroria e ka të qartë se i është lënë në duar një “bombë” me fitil të ndezur dhe do i duhet vetëm që ta flakë diku…
Lufta politike i ka kapërcyer marrëdhëniet thjesht konfliktuale, pasi me këtë ritëm po kalon në përplasje të forta, për më tepër në vigjilje të vitit elektoral 2017.