Përplasja mes Sekretarit britanik të Drejtësisë, Michael Gove dhe kryeministrit Edi Rama duket se po vazhdon edhe më tej.
Në një shkrim të publikuar tek Daily Mail me titull “Mendoni keqe tani për BE-në? Prisni derisa Shqipëria t’i bashkohet”, zyrtari britanik tregon arsyet se çfarë ndodh nëse Shqipëria i bashkohet BE-së.
“Zgjerimi i BE-së do të hapë kufinjtë tanë për 88 milionë njerëz nga vendet më të varfra të Evropës. Opsioni shqiptar! Kjo tingëllon si një roman i John le Carré. Ju imagjinoni një histori me intriga politike, shuma të mëdha parash që kanë humbur rrugën dhe që kanë të bëjnë me kriminalitet të dyfishtë. Për opsionin shqiptar nuk është se do lexoni një roman me fantazi, por është një fakt diplomatik. Shqipëria është në rrugën për të hyrë në Bashkimin Evropian, së bashku me katër vende të tjera, Maqedoni, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia”, shkruan Michael Gove.
“Grupi tashmë prej 28 vendesh do të jetë i përbërë me 33 vende dhe kjo gjë nuk do të jetë gjë tjetër veçse një turmë. Dhe Britania nuk është vetëm duke mbështetur këtë lëvizje. Ne jemi duke paguar për të. Çdo javë ne kemi dërguar në 350 milionë euro në BE. Dhe tani miliona nga taksat tuaja të fituara me vështirësi janë duke u drejtuar këtyre pesë vendeve anëtare të ardhshëm. Në vitin 2020 Mbretëria e Bashkuar do të paguajë gati 2 miliardë euro për të ndihmuar këto vende të përgatiten për anëtarësim në BE. Kjo bujari do të jetë dhuratë jonë më e madhe në Shqipëri”, vazhdon më tej argumentet Sekretari britanik i Drejtësisë.
Një tjetër hall që qan zyrtari britanik në shkrimin e vetë është dhe emigrimi i shqiptarëve drejt Britanisë, gjithmonë pas futjes së vendit tonë në BE.
Çështja e krahasimit të Shqipërisë me Britaninë vazhdon të jetë kaq e pranishme në mediat e këtij vendi.
Matthew Sutherland shkruan në Financial Times se Shqipëria dhe Britania do kishin shumë gjëra të përbashkëta, nëse në vitin 1920, një sportist britanik do ishte bërë mbret i Shqipërisë.
“Në vitet ’20, një prej emrave më të njohur të sportit britanik, CB Fry, që luante kriket dhe futboll për Anglinë, dhe që barazoi rekordin botëror për kërcim së gjati, i futi duart në politikë. Ai u refuzua megjithatë si kandidat i Liberalëve për tre zgjedhje radhaz në 1922, 1923 dhe 1924. Megjithatë, më vonë atë dekadë, kur shqiptarët vendosën se donin një monarki kushtetuese, ata menduan se Fry mund të ishte mbreti i tyre i parë. Nëse Fry nuk do e kishte hedhur poshtë ftesën e tyre, ndoshta Shqipëria dhe Britania do ishin më të ngjashme, të paktën duke u takuar rregullisht në ndeshjet e Testit”.