
“Nuk kam dijeni për ndonjë draft të opozitës. Ajo e ka artikuluar qëndrimin e vetë gjatë debatit në parim, për çfarë ajo mendon se duhet të përmirësohet në aspektin kushtetues. Por, në asnjë rast nuk do ketë negociata jashtë projektit të Komisionit të Venecias”, ka deklaruar Xhafaj.
Ai ka theksuar se, çdo tentativë për të dalë nga formati i Venecias dhe i përpunuar nga ekspertët ndërkombëtar është përpjekje për të zvarritur reformën.
Sa i takon mbledhjes së sotme, deputeti socialist ka bërë me dije se, në të janë zhvilluar bisedime normale dhe ka patur sugjerime të cilat, siç ka thënë ai, “nuk cënuan thelbin e projektit”.
Pak përpara kryetarit të komisionit, përfaqësuesi i PD, Oerd Bylykbashi deklaroi se, në fokus të mbledhje së sotme kishte qenë prokuroria.
“Ne konfirmuam atë që kemi thënë gjithmonë, biem dakord me instrumentin e fuqishëm anti-korrupsion në drejtësi, pra prokurorinë e posaçme”, deklaroi Bylykbashi për mediat.
Ai nënvizoi se, “në seancën e sotme nuk kishte as votim e as miratim, por ishte vetëm pjesa në lidhje me prokurorinë”.
/ Top Channel