13 këshilltarë të LSI-së në Durrës kanë bojkotuar mbledhjen e radhës së Kshillit Bashkiak, pa dhënë asnjë justifikim. Fillimisht ata zhvilluan një takim mes tyre, ku edhe vendosën për bojkot të mbledhjes si sinjal pakënaqësie.
Burime të Panoramës thonë se përplasja brenda koalicionit të mazhorancës ka ndodhur për vende pune. Vangjush Dako i ka premtuar LSI-së 50 vende pune në ndërmarrjet apo administratën e Bashkisë gjatë fushatës zgjedhore, mirëpo më pas u ka thënë përfaqësuesve të LSI-së se nuk i ka këto 50 vende pune për anëtarët e saj. Në këtë mënyrë, LSI-ja ka bojkotuar mbledhjen e këshillit bashkiak ditën e sotme, dhe paralajmëron se në të ardhmen do të votojnë edhe kundër.
Megjithatë, mbledhja e sotme ka vijuar normalisht, pasi me praninë e këshilltarëve të djathtë plotësohej korumi.
Ndonëse me mungesën e 13 këshilltarëve të LSI-së , u diskutuan dhe miratuan 16 pika të rendit të ditës, pasi PS-PD për herë të parë bashkojnë votat me njëra-tjetrën, duke bërë në një farë mënyre paqe pas 26 vitesh përplasje.
Në mbledhjen e konsideruar si mjaft të rëndësishme, ndër të tjera këshilli Bashkiak miratoi listën e përfituesve të banesave sociale, për 126 apartamente në lagjen numër 17 si dhe sistemimin e tarifave për plazhet private në njësitë vendore në Durrës.