Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dalë menjëherë në deklaratë për mediat menjëherë pas daljes së Kryeministrit Rama para gazetarëve për reformën në drejtësi. Ai tha: “Të ftoj të reflektosh, të qetësohesh. PD dhe unë jemi gati t’i japim Shqipërisë një drejtësi të pakapur politikisht mjafton që t’i të heqësh pengesën e vetme dhe të zbatosh rekomandimin 88 të Venecias.”
Duke folur nga selia e PD, Basha theksoi edhe njëherë se opozita nuk do të votojë kurrë një drejtësi të kapur politikisht nga mazhoranca. Kreu i demokratëve ka bërë thirrje për një drejtësi të pavarur dhe asnjëanëse ndërsa shtoi se Kryeministri frikësohet nga një drejtësi e pavarur për kryebashkiakët e inkriminuar që ka kandiduar dhe deputetët e ministrat të përfshirë në afera korrupsioni.
Basha tha: “Pyetja është a e ka ftuar Rama, Prengën të votojë drejtësinë? Të vijë me pistoletë në xhep apo pa pistoletë?
A e ka ftuar Ndokën që të vijë të votojë Reformën?
A e ka ftuar Frrokun apo është nisur për në Belgjikë?
A e ka ftuar Kokëdhimën?
Po Artur Bushin, Roshin dhe dhjetra të tjerë a i ka ftuar?
Ky që pikon krim dhe korrupsion kërkon të bëjë reformë në drejtësi për kapjen e saj.
Sepse zullumi që ka bërë është shumë i madh. Asnjë natë nuk do të flinte i qetë kampioni i tij i korrupsionit, Beqja, nëse drejtësia nuk do të ishte e pakapur. As Tahiri, as ata me aferën e CEZ –it dhe shumë ministra dhe oligarkë. Do të humbisnin gjumin njëhërë e mirë ndaj i duhet me çdo kusht drejtësia e kapur.
Edi Rama nuk do ta ketë kurrë votën e opozitës me një drejtësi të kapur.
Një drejtësi të pakapur e deshëm dje dhe e duam dhe sot.
Vendi ynë nuk ka nevojë për vija të kuqe dhe as për politikanë që thithin bar.
Vendi ynë ka nevojë për një litar shprese, për varfërinë që ka kapur mijëra familje për fyti, për një klimë të shëndoshë biznesi, ka nevojë për një drejtësi europane ndaj ne dhe luftuam. Kërkuam që në fillim që nuk duam një Byro Hetimi nën sqetullën e Edi Ramës dhe Tahirit dhe kështu falë insistimit tonë fituam 33 beteja.
E vërtetë është. Kishim 10-12 çështje të tjera, nuk jemi të lumtur që drafti nuk i reflekton, edhe detyrën time si jurist shpesh nuk e ndiej të plotësuar, por hoqëm dorë pikërisht për shkak të moskapjes politike, për perspektivën europiane.
Por Edi Rama nuk heq dorë nga projekti i tij dhe përsëri sot refuzoi t’i përgjigjet pyetjes sime. Pse nuk pranon rekomandimin 88 të Venecias? A mos mendon se Venecia bën duan e PD-së?
Nuk ka nevojë ta lexosh anglisht, lexoja shqip shqiptarëve.
Vendi ynë nuk ka nevojë për retorikë provokuese.
Të ftoj të reflektosh, të qetësohesh. PD dhe unë jemi gati t’i japim Shqipërisë një drejtësi të pakapur politikisht mjafton që t’i të heqësh pengesën e vetme dhe të zbatosh rekomandimin 88 të Venecias,” përfundoi Basha.