Këshilli i Ministrave ka vendosur që të akordojë 1 milion Euro shpërblim për ekipin kuqezi pas fitores 1 me 0 me Rumaninë mbrëmë.
Shpërblimi do t’u jepet lojëtarëve dhe trajnerit të ekipit kombëtar për këtë fitore të parë të Shqipërisë në Kampionatin Europian “Francë 2016”.
Ky shpërblim është një shtesë e re për Kombëtaren tonë Kuq e Zi në buxhetin e vitit 2016.
Efektet financiare të këtij shpërblimi do të mbulohen nga fondi rezervë i buxhetit.
VENDIMI I QEVERISE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në buxhetin e miratuar për vitin 2016, zëri “Shpenzime korente”, t’i shtohet fondi prej 1 000 000 (një milion) eurosh, për shpërblimin e Ekipit Kombëtar të Futbollit.
- Kundërvlefta në lekë e këtij fondi t’i akordohet në formën e transfertës Federatës Shqiptare të Futbollit për t’u përdorur sipas pikës 1, të këtij vendimi.
- Efektet financiare sipas pikës 1 të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2016.
- Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA