Marrëveshja e arritur në mesditë nuk është konkretizuar ende në një draft final të ndryshimeve kushtetuese.
Lajmi u konfirmua për Top Channel nga burime zyrtare të Konferencës së Kryetareve, e cila u mblodh pasdite për të vendosur sesi do të menaxhohet seanca e së enjtes.
Çështja kryesore e saj është votimi i ndryshimeve kushtetuese, por kryetarët e grupeve parlamentare janë përballur me faktin se në tryezën e punës nuk ka një draft që reflekton ndryshimet e dakordësuara.
Burimet konfirmojnë se Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i ka kërkuar Fatmir Xhafës të mbledhë urgjentisht komisionin, të thërrasë negociatorët dhe të zbardhet marrëveshja e arritur me ndërmjetësimin e Komisionerit për Zgjerimin, Johanes Hahn.
Ndërsa po i jepej dora e fundit draftit të reformës që do të futet për miratim nesër në parlament, puna ka hyrë sërish në ngërc.
Në këtë moment puna është pezulluar.
Deputeti i PD, Gent Strazimiri ka publikuar një status në Facebook, përmes të cilit ka treguar stadin në të cilin ndodhen negociatat për detajet e fundit të reformës në drejtësi.
“Nata ra siç e pata merakun…. Dhe, siç ia pata frikën pak orë më parë, po presim në Kuvend të mblidhet komisioni i posaçëm për të përfshirë në draft marrëveshjen e arritur pak orë më parë, se ndryshe nuk miratohet dot në seancën e nesërme…”, thotë Strazimiri.
Sipas tij, “shokët e Partisë janë fshehur dhe nuk përgjigjen…”. “Mjerot anembanë kanë marrë porosi të raportojnë se ç’po bisedohet në … mbledhjen që ende s’po mblidhet…”, ka thënë Strazimiri.