Si dolën politikisht Rama, Meta dhe Basha nga lufta dy vjeçare? A ishte më shumë një përballje me sfond politik sesa për drejtësinë? Roli “udhëheqës” i ndërkombëtarëve dhe pika ku mund të çalojë sistemi?
Nga Vladimir Karaj
Shqipëria ka një kushtetutë të re. Kryeministri Edi Rama e kremtoi reformën duke bërë kosha basketbolli në oborrin e kryeministrisë, një farë ironie për kundërshtarët (e tepruar dhe karagjozllëk do thoshin disa) pozicion që e ka mbajtur shpesh në këtë proces ku bëri hit “lepujt në bark”. Lideri i opozitës Lulzim Basha shpërndau telefonata plot komplimente për patriotizëm që mori nga zyrat diplomatike përfshi edhe nga Uashingtoni, të nevojshme pas dusheve të ftohta për “besueshmërinë politike” që mori gjatë këtyre ditëve prej të njëjtave zyra. Ilir Meta ishte sërish i tërhequr dhe në qetësi pasi mori meritat e paqtuesit mes palëve, ndërsa kryetari i grupit parlamentar të LSI Petrit Vasili shpalli se “dashuria” në koalicionin qeverisës nuk kishte mbaruar ende dhe se kthimet e shpinës këto ditë nuk kishin ndonjë kuptim politik. E thënë kjo duket se palët po “lëpijnë” plagët e një lufte 2 vjeçare politike, ku disa shpresojnë të riparojnë besueshmërinë e të tjerë koalicionin që u duk i shkërmoqur (ende mund të jetë) para mesnatës dhe në të gdhirë të 22 korrikut.
Humbjet dhe fitoret politike
Shqiptarët janë të çoroditur përtej tifozllëkut politik. Humbës në një proces politik, madje edhe në zgjedhje, është e vështirë të gjesh në Shqipëri. Tërheqjet e veshit prej ndërkombëtarëve (ndonjëherë edhe kapje prej xhakete) mund të kenë rënduar opozitën, por ajo vetë thotë se mori atë që deshi prej procesit duke siguruar sipas saj “moskapjen”. LSI u kthye nga e paragjykuar në faktor përcaktues, një shndërrim që i bën shumë të ndjehen të paqartë për reformën. Edi Rama shpalli në mënyrën e tij fitoren duke lënë të kuptohet se “fshesa në gjyqësor” qëllimi i tij, ishte i arritur, por për shumë është e qartë që ai lëshoi pe duke i dhënë opozitës në disa raste barazi në vendimmarrje gjë që asnjë opozitë në botë nuk e ëndërron. Kjo sigurisht e ruan atë dhe PS-në të mos kenë të njëjtin “aksident” si në 2009, kur ndryshimet kushtetuese në pritje të “marrjes së pushtetit” sidomos pas gjëmave të qeverisë si Gërdeci e lanë opozitën e tij thuajse pa asnjë mjet presioni veç protestës së pafrytshme.
Në fakt nëse reforma zbatohet siç është shkruar dhe vihet në jetë pa i krijuar digës së ngritur për korrupsionin në gjyqësor vrima, palët politike mund të kenë humbur të gjitha. Një humbje që për shqiptarët edhe për tifozët më të egër politik të palëve duhet të jetë e ëmbël. Teknikisht reforma ka përcaktuar se palët politike kanë humbur pushtetin mbi gjyqësorin dhe madje njerëzit e tyre në sistem ata që i kanë përdorur për të marrë vendime që shpesh i kanë skandalizuar shqiptarët “të shporren”. Krijesa që u dha pushtet absolut dhe të pandëshkueshëm mbi pronat, votat dhe paratë e shqiptarëve teknikisht ka vdekur. Ky është ai “grushti mbi malin që s’bëza”, por a do mund t’i shkëpusë atij ndonjë gurë a shkëmb apo do vijojë të krijojë panik mbi guralecë mbetet e paqartë.
Vendi ka një sistem të ri të drejtësisë, por asgjë nuk ka ndryshuar për sa kohë zbatimi do të kërkoj muaj pune dhe ligjesh që duhet të miratohen. Deri në këtë pikë, përtej retorikës politike, askush nuk mund të shpallet fitues. Qeveria sigurisht pret të marrë shpërblime për realizimin. Hapja e negociatave me Bashkimin Europian do të ishte një ndihmë e mirë për fushatën elektorale të vitit që vjen. Nga ana e tij Rama do mund ta shënojë këtë si “trepikësh” të ri në politikën e tij të reformave që vjen pas tetë viteve të politikës së “rrugëve dhe autostradave” të qeverisë paraardhëse. Ai po ashtu e di (ndoshta) se mëshimi në një fjalë të vetme do ta bëjë bajate dhe të patregtueshme arritjen, ashtu siç e bë për paraardhësin e tij përurimi i rrugëve. Opozita pasi ngjyrosi me jeshile sallën, ku pritej të ndodhin hata e tradhti me thika pas shpine mbrëmjen e 21 korrikut dhe mëngjesin e 22-shit, duket po ashtu a gatshme të shijojë triumfin. Ashtu si qeveria ajo do mund të ndajë (do bëjë të sajën) hapjen e mundshme të negociatave dhe çdo kompliment nga Perëndimi, por pa paguar këtu kosto të qeverisjes dhe të një ekonomie që edhe pse shifrat e qeverisë e tregojnë mirë, nuk është aq mirë sa të ndryshojë jetën e përditshme dhe të nxjerrë shqiptarët nga mjerimi. Ndërsa do kthehet në llogoren e vjetër, ajo e di ndërkohë që një sistem të cilin e ndërtoi me mundim në 8 vitet që qeverisi është bërë pluhur e hi dhe se ajo vetë votoi për këtë. Ajo mund të shkojë sidoqoftë e gëzuar se i mbajti shtrënguar radhët. Përtej ndonjë eksodi me deklarata politike, PD hedh pas shpine ditët e nxehta që u dukën se mund ta kishin dobësuar edhe më shumë në numra.
LSI do duhet të ketë gati një strategji të re. Koalicioni nuk është vëllazëror dhe i pa ndashëm siç dukej në prill të 2013 kur filloi. Nënshkrimet e Ramës dhe Metës në dosje të kuqe duket se janë humbur nëpër sirtarë dhe ndërsa PS ka pak kalkulime për të bërë, LSI-së i duhet deri dhe të llogaricë një “akrobaci” djathtas nëse divorci bëhet pa apo me marrëveshje. Pas votës së djeshme dhe rolit të saj aty situata nuk duket aq dramatike.
Ca fitues dhe ca humbës të qartë
E megjithatë palët dje edhe më herët vrapuan të shpallnin fitore dhe gëzim. Miratimi i një projekti me unanimitet nuk është pak për politikën e përçarë shqiptare. Por rruga e procesit tregoi se pa ndikimin e fortë (dhe shpesh presionin) e diplomacive mike, palët nuk do ia dilnin “të kapërcenin” interesat politike të ditës dhe të shpallnin siç shpallën dje një fitore për të gjithë shqiptarët. Donald Lu dhe Romana Vlahutin janë vetëm fytyrat më miqësore (ose armiqësore nëse i beson konspiracionit), ato me të cilat jemi mësuar, të një procesi që me gjasë ka në “prapaskenë” deri ndërhyrje inkurajuese nga Angela Merkel dhe John Kerry. Knut Fleckenstein apo Johannes Hahn janë po ashtu emra që janë përmendur shpesh dhe drejtpërdrejt të lidhur me produktin final.
Nëse i hedh një sy komenteve në faqen online të ambasadës së SHBA-vë në Tiranë e kupton se shumë shqiptarë e kanë pritur këtë ndryshim prej aty. Qindra falënderime që me siguri e kanë emocionuar Donal Lu që e kupton shqipen janë vetëm tregues i besueshmërisë që SHBA-të kanë ende në Shqipëri. Kjo sidoqoftë nuk qe e mjaftueshme për ta shpëtuar atë nga sulmet raciste. Tirana politike, e këtu bëhet fjalë për njerëz që kanë akses në masmedia e televizione, nuk është mësuar mesa duket t’i shohë këto si problem.
Teoritë e konspiracionit dhe sulmet politike, ishin sidoqoftë të llogaritshme për të dy ambasadorët. Lu dhe Vlahutin me gjasë e kanë ditur këtë kur kanë marrë përsipër atë që në gjuhë jo diplomatike e kanë cilësuar shkuljen e një sistemi të korruptuar që mbrohej dhe kjo ka qenë e qartë prej krimit të organizuar deri në nivele të larta të politikës.
Sidoqoftë suksesi i tyre mund të shkojë dëm nëse reforma nuk implementohet si duhet. Procesi i reformimit të drejtësisë nuk ka filluar ende. Reforma e cila prej një pjese u pa dhe vijon ende të shihet me pasoja apokaliptike, qofshin këto “fshesë për të korruptuarit” siç premton kryeministri apo “kapje e drejtësisë” siç thoshte opozita e deri “instalim i diktaturës” siç pretenduan shumë kundërshtarë të saj, nuk do të ketë efekte të qarta të paktën deri në shtator kur pritet të fillojnë proceset serioze të lidhura me të.
Komuniteti që preket më fort prej saj ai i gjyqtarëve nuk ka pasur ende një reagim. Të damkosur prej qytetarëve dhe politikanëve si pjesa më e korruptuar e shoqërisë, ata presin verdiktin ndoshta më të qartë se pjesa tjetër se për çfarë realisht bëhet fjalë dhe me gjasë edhe çfarë i pret. Nëse ka humbës, të korruptuarit ndër ta janë të parët që do ta mësojnë.
Një lexim teknik i reformës të krijon përshtypjen se ajo nuk çalon dhe është e vështirë të shohësh të meta pa e parë të zbatuar. Komplikimi me një sërë institucionesh duket si mjaft i vështirë për tu vënë në punë, por ato nga ana tjetër krijojnë raporte dhe mundësi kontrolli që duken të pashmangshme dhe prej të cilave nuk mund të fshihesh.
Fillimi me gjasë ka për të qenë edhe pjesa më e vështirë. Pjesa ku palët u përplasën më fort. PD arriti, siç tha publikisht t’i hiqte ONM (Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit) për hir të sovranitetit të drejtën e vendimmarrjes. Kjo në fakt duket një ‘betejë’ gjysmë e fituar. Lista që u shpjegua me ngjyra (që nuk ndodhen në tekst) ka në fakt sekrete që nuk janë thënë të plota. Kështu “lista e bardhë”, ajo e personave pa probleme, shkon direkt nga ONM në kuvendin e Shqipërisë. Praktikisht këtu ndërkombëtarët kanë vendimmarrje dhe përcaktojnë se kush janë kandidatët më të mirë duke i çuar ata menjëherë në votim pa ja nënshtruar ata ndonjë gjykimi politik të palëve. Në anën tjetër PD ka fituar, por me shumicë të fortë penguese, që të nxjerrë nga lista e zezë kandidatë të damkosur nga ONM. Kjo do jetë e vështirë edhe pse shumë e kanë lexuar si pika që mund t’i lejojë politikës të zbardhë të zezën duke mos lejuar sistemin të pastrohet. E quajtur si fitore e sovranitetit, kjo duket sot edhe si pika më e dobët e sistemit apo aty ku palët politike mund të kërkojnë ujdi për të çarë digën.