Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, ka reaguar për dy ngjarjet që ndodhen dje në burgun e Shën Kollit në Lezhë dhe paraburgimin e Vaqarrit në Tiranë.
Vasili ka kërkuar që çdo zyrtar të bëjë detyrën që i takon dhe të mbajë përgjegjësi, në rast të kundërt të ndëshkohet. Numri dy i LSI i ka quajtur të papranueshme ato që ndodhën dje.
“Pasiguria në burgje është e patolerueshme. Duhet të marrë fund papërgjegjshmëria dhe pandëshkueshmëria. Çdo zyrtar duhet të bëjë detyrën ose të ndëshkohet”,- thotë Vasili.
Ditën e djeshme, burgu i Shën Kollit u përfshi nga flakët dhe për pasojë humbi jetën një i burgosur dhe u plagosën disa të tjerë.
Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Burgjeve thanë se, shkak i zjarri ishte shpërthimi i bombolës që përdorej për gatim, ndërsa ISHTI e përgënjeshtroi duke thënë se, bombola ishte e paprekur dhe po punohet për zbardhjen e ngjarjes.
Ndërsa në burgun e Vaqarrit u plagos me armë një i burgosur, që u qëllua në distancë nga jashtë paraburgimit, por autori kishte ngatërruar objektiv.