“Prej disa ditësh, një fëmijë i vogël dy vjeçar, Zaho Rama, është bërë personazhi kryesor i serialit veror të babait të tij. Një herë shfaqet duke notuar, njëherë duke pikturuar, një herë duke kënduar, një herë duke darkuar…, duke i lënë vazhdimisht në ankth shikuesit se çfarë do të bëjë në serinë e ardhshme. Ku do të jetë Zaho këtë radhë, po babai i tij, çfarë do të ndodhë mes tyre gjatë ditëve të nxehta të verës? Ndodhitë e 2-vjeçarit po përcillen me entuziazëm nga mediat e babait të tij, të cilat janë më të gëzuara se sa vetë Zaho, kur ai mëson notin apo ha kallamarë të skuqura në Himarë”.
Kështu shkruan analisti Armand Shkullaku në një koment në gazetën Mapo.
“Edi Rama, nëpërmjet këtyre fotove, kërkon të japë mesazhe politike, jo romantike. Ai do të tregojë se është një prind i devotshëm, i kujdesshëm, i dashur. Që nuk dëshiron të pleqërojë vetëm me Koçon pranë brigjeve të Jugut, por edhe me familjen e tij. Fotot e këtij babaxhani, që noton e lodron me fëmijën e tij, duan të zëvendësojnë imazhin e kryeministrit që shumë baballarë i dërgoi pas hekurave se nuk kishin para të paguanin energjinë për fëmijët e tyre. Të atij që bërtiste dhjetë herë në ditë fjalën burg, që dërgonte skuadrat e policisë për të ndëshkuar e të INUK për të shkatërruar. Që rriste taksat, që dënonte të varfërit, që nuk bëri asgjë për njerëzit në nevojë.
Tani që zgjedhjet po afrojnë, Edi Rama ka nisur të stisë pamjen tjetër me të cilën do të synojë të manipulojë shqiptarët. Të atij që fal gjobat, rrit pensionet, ul taksat, mbyll njërin sy kur shkelet ligji e lulëzon droga, tërheq taborët e reprezaljeve tatimore, që nuk flet për burgje e ndëshkime, po për futboll e vizatime,” shkruan Shkullaku.
“Pasi ka dështuar në premtimet e vitit 2013, Rama kërkon të nxisë kompasionin dhe jo refleksionin tek votuesit shqiptarë. Prandaj edhe seriali i tij veror është në funksion të pastër elektoral”.
Lexoni më poshtë tekstin e plotë: