Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua me kreun e Parlamentit Europian, Martin Schulz.
Pas takimit, Basha tha se ka ngritur gjatë bisedimeve problemin e dekriminalizimit dhe zgjedhjeve të lira.
“Diskutuam për tri problemet kryesore, për tri sfidat e mëdha ekzistenciale me të cilat ballafaqohet demokracia sot dhe e ardhmja europiane e Shqipërisë, që janë krimi, korrupsioni dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Me Presidentin Shultz, ndamë pikëpamjen se, me një angazhim konstruktiv te palëve, do të ishte rruga e duhur për tëzgjidhur këto probleme ekzistenciale dhe unë e sigurova se Partia demokratike dhe opozita dhe unë personalisht jemi të angazhuar dhe të vendosur për të ecur përpara me përparësitë, duke nisur së pari me dekriminalizimin duke bërë të qartë se, nuk mund të ketë integrim europian të vendit me kriminelë në parlament e kryetarë bashkish. Nuk mund të ketë, nuk mund të pretendohet dhe është e pasinqertë, çdo ligjërim, çdo retorikë, çdo përbetim për të ardhmen europiane të Shqipërisë, kur e sotmja kutërbon nga akte të papërgjegjshme politike siç është kandidimi i personave me rekorde kriminale për kryetarë bashkish apo mbajtja në Parlament e personave me rekorde kriminale.
Së dyti, problemi themelor është ai i votës, i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kërkova ndihmën e Presidentit të Parlamentit Europian, që në bazë të raporteve fillestare dhe përfundimtare të OSBE-ODHIR dhe Këshillit të Evropës të rikthejmë në vëmendje të institucioneve evropiane domosdoshmërinë për të vepruar si në rrafshin legjislativ dhe institucional, edhe në rrafshin politik për të rikthyer standardet zgjedhore që u shkatërruan nga kjo dyshe, nga kjo mazhorancë në 21 Qershor.
Dhe së treti për luftën ndaj korrupsionit i cili është i lidhur me krimin dhe me zgjedhjet e kapura, 150 milion dollarë që i mungojnë doganave dhe tatimeve të shtetit, një pjesë e të cilave padyshim janë përdorur për të blerë masivisht votat në procesin e 21 Qershorit, por nga ana tjetër 150 milionë dollarë që i mungojnë pensioneve, rrogave, shkollave, shëndetësisë, ndihmës ekonomike, sepse kanë përfunduar në xhepat e oligarikisë dhe klientelës qeveritare, janë një këmbanë konkrete alarmi për shkallën e lartë të korrupsionit, në të cilën po e zhyt Shqipërinë papërgjegjshmëria dhe korrupsioni i qeverisë Rama- Meta,” tha Basha.