Megjithëse u sabotua nga LSI dhe pavarësisht se PDIU nuk është se ka shumë çamë në Dibër, “Rilindja” fitoi bindshëm në Dibër.
Shumë politologë dhe analistë i kanë hyrë punës së vështirë për të gjetur sekretin e madh të këtij suksesi.
Në fakt, në pamje duket mjaft e habitshme se si, në një qark ku investimet e qeverisë që nga 2013-a kanë qenë minimale, të arrihej një triumf i tillë.
Aq e vërtetë është kjo, sa që Rruga e Arbrit nuk ka nisur ende punimet dhe HEC-i i Skavicës nuk ka nisur gjithashtu.
Gjithashtu, u desh të vinte fushata që bulevardi i Peshkopisë të shkepej për t’u rindërtuar dhe më në fund u vu dorë në disa shkolla.
Pra si shpjegohet e gjithë kjo rrokadë?
Duket se shpjegimi nuk ka nevojë për aq shkencë dhe qëndron pikërisht të varfëria e qarkut të Dibrës.
Në raportin e papunisësë në vend për tremujorin e fundit, ISTAT vëren se Dibra është qarku që ka njohur uljen më të madhe të papunësisë, e cila është ndalur në 8%, ndërkohë që mesatarja në vend është 15%.
Gjithashtu, nga transaksionet e thesarit të shtetit, rezulton se bashkia e Dibrës në tre muajt e fundit ka marrë më shumë fonde se bashkia e Shkodrës dhe mjaft bashki të tjera.
Pra pa ‘nxjerrë lepurin’ nga kapelja, qeveria i ka fituar zgjedhjet me paratë e taksapaguesve shqiptarë, duke e përqëndruar të gjithë vëmendjen e saj ekonomike në një bashki të vetme, ndërkohë që në 2015-n kjo ishte e pamundur, pasi fondet duheshin shëprndarë në mjaft bashki të tjera që duheshin fituar.
Ky boom fondesh duket se ka sjellë edhe boom-in elektoral.
“Ky besim dhe energji e re që ne morëm me rezultatin e të dielës, tregon mençurinë dhe urtësinë e njerëzve të punës, që bukën e nxjerrin me punë dhe jo me drogë, siç i akuzon Partia Demokratike votuesit e Muharemit. Ata na besuan sepse e dinë shumë mirë se fara e vogël e misrit, nuk bëhet kalli sa hap e mbyll sytë dhe e kuptojnë më mirë se kushdo se Dibra e rrënuar e harruar për 25 vite, ashtu si e gjithë Shqipëria pa shtet e kësaj periudhe të historisë sonë, nuk mund të bëhet ajo që ata duan e meritojnë sa hap e mbyll sytë, në vetëm 3 vite!”, – tha Rama dje në Dibër.
Por më shumë se kalliri i misrit, në Dibër ka mbirë kalliri i fondeve të përkohshme qeveritare, që do të veniten sapo të venitet edhe fushata elektorale./Mapo.al