Të nderuar kolegë vetëm të majtë, në rast se ju dukem sot si trim i vetëm në luftë e keni gabim, sepse lufta nuk fillon sot. Luftën e kemi pas një viti në fakt nuk duhet të ishte luftë, duhet të ishte garë, duhet të ishte proces, por ju të tilla i keni shndërruar zgjedhjet në Shqipëri që ditën që shkelët në pushtet dhe deri sot që po flasim. Në fakt për të qenë në rregull me rendin e ditës, që po të isha si parafolësi dhe si ministri i kanabisit në Shqipëri, unë nuk do ta sillja kurrsesi këtë projekt ligj sot këtu në parlament. Unë nuk kam gjë me projektligjin, mund të jenë ndryshime të nevojshme, por nuk do e sillja duke pasur parasysh se nuk përmendet litari në shtëpinë e të varurit dhe kjo qeveri e cila e ka shnderruar Shqipërinë në një Kolumbi të Europës, saqë po ta shikosh nga ajëri duket si zgjatim i luginës së Amazonës, nuk mundet kurësesi që të na sjellë ndryshime teknike për një gjë që e ka shkatërruar politikisht. Dhe është vendim politik i kësaj qeverie që Shqipëria të shndërrohet në plantacion apo oaz kanabisi në Europë.
Por unë në fakt nuk e kërkova fjalën për këtë çështje, e kërkova fjalën për të folur për Dibrën, sepse ky Parlament nuk mund mos ta fsheh se është shumë frymëzues. Kur erdha në sallë nuk kisha ndërmet të flisja, por dëgjova shumë nga e majta dhe nga e djathta dhe u frymëzova.
Sot nuk është ditë e përshtatshme që një përfaqësues i PD të flasë sot për zgjedhjet, sepse ne i kemi humbur zgjedhjet në Dibër dhe kjo është e vërtetë. Por kjo nuk më pengon që të flas, sepse unë këtu unë nuk jam në këshillin bashkiak të Dibrës dhe jam në parlament, i cili ka më shumë përgjegjësi.
Ndaj unë do ta veçoj Dibrën si shembull, vitrinë të problematikës së rëndë që ne kemi me zgjedhjet. Kjo qeveri, kjo mazhorancë e ka asgjesuar institucionin e zgjedhjeve që kur erdhi në pushtet. Po jap disa shembuj: Të gjitha provat bërthamore të proceseve elektorale kanë dështuar që ditën që ju shkelët në karriget e pushtetit. Në Korcë pak muaj pas qershorit të 2013, i bletë votat me 20 mijë lekë. E pa i madh e i vogël, e pa gjithë Shqipëria. Pas 2 vjetësh e bëtë këtë provë gjenerale në të gjithë Shqipërinë, të cilat sigurisht që i fituat, por edhe i vodhët.
Tani i vutë vulën me Dibrën dhe unë nuk kam asgjë për të thënë dhe për të lënduar ndonjë dibran që ka votuar kundër PD, qoftë edhe i blerë sepse në rast se ti e kantandis popullin tënd, ose do blihet ose do shantazhohet, ose do mbyllet në shtëpi, ose do hiqet nga puna, ose do vdesë për bukë ai do të bëjë zgjedhjen më të lehtë që ka përpara. Unë e them me dhimbje. Çfarë është ajo që ju keni sjellë në këto 3 vite? Ju keni një meritë, keni rritur çmimin e votës. Sepse vota në Korçë vota u ble më 20 mijë lekë, në Dibër është blerë me 70-100 euro.
Dikush mund të thotë sot po çfarë ndodhi me këtë popull? U bënë me lakmitarë? Jo, ishte i njëjti popull, edhe në Korcë edhe në Dibër. E vetmja gjë që ka ndodhur është se qeveria dhe bandat e saj janë më dorëlëshuara se kanë vjedhur shumë para dhe nuk e kanë problem që edhe t’i dhjetëfishojnë votat. Nëse ishin 4 qind t’i bëjnë 4 mijë. Nesër mund t’i bëjnë 40 mijë. Sigursht unë nuk mund të them se është krenari që të humbësh disa zgjedhje rresht dhe të thuash, mi vodhën, u blenë, u shitën dhe këtu kam parasysh që edhe opozita ka përgjegjësinë e saj. Edhe partia ime ka përgjegjësinë e saj në këtë që po ndodh. Po pse e tregoj unë gishtin te qeveria, jo thjesht se jam deputeti i PD, por sepse unë kam parasysh një skeç që disa që janë në moshën time e mbajnë mend, në vitet 80 ka qenë një skeç i estradës së Fierit: “Nuk mund të ketë më shumë përgjegjësi ai që nuk ruan dot lopën sesa ai që e vjedh” . Ndaj dhe unë e tregoj sot gishtin tek ai që e vodhi lopën. Kjo nuk është hera e parë. Meraku im nuk është Dibra. Meraku im është se çfarë do të ndodhë pas një vit, ku për mandatin e RRemës u hodhën kaq shumë lekë, u bë kaq shumë punë dhe u shtuan kaq shumë vota. Çfarë do të ndodhë pas një viti kur në lojë nuk është karrigia e RRemës, por e këtyre që janë prapa, se ju nuk keni ndonjë gje për të marrë dhe për të dhënë. Unë sot kam shqetësimin që Shqipëria po rrëshket dramatikisht në një gjendje të pashpresë, fal një vullneti diabolik për ta tjetërsuar votën. Saqë këtu nuk ka më rëndësi çfarë thua, çfarë bën, si qeveris. Por ka vetëm një gjë, si vjedh dhe si blen. Kjo është një situatë që duhet të ndryshojë njëherë e përgjithmonë. Po pse kemi arritur ne në këtë pikë? Kemi arritur në këtë pikë se kjo qeveri ka bërë një pakt me krimin e organizuar dhe nuk ka asnjë shenjë për tu ndarë me të. Ju do të thoni që ka pasur dhe raste të tjetra. Po ka pasur. Unë dua të jem realist. Në Shqipëri ka pasur edhe fenomene të tjera të lidhjes së krimit me politikën, biles jam aq i sinqertë sa të pranoj që edhe partia ime apo opozita sot mund të ketë pasur flirtime sporadike me ndonjë bandë. Çfarë do të thotë kjo ? Ne e kemi bërë 1 herë, ju e keni bërë 100 herë. Çfarë ka qenë kjo marrëdhënie? Kjo ka qenë shkelje syri, dhe banda apo një bandit i caktuar merrte një kockë për shërbimin që bënte gjoja në zgjedhje, që kur mos ardhtë e u shijoftë ai shërbim dhe ai shikonte punën e vet dhe qeveria shikonte punën e vet, apo opozita në rastin e opozitës. Ju sigurisht e keni praktikuar këtë me shumë sukses. Por ju, megjithëse jeni kundërshtarët e mi politik, përpara se të kishit kryetimonier Ramën, nuk e keni bërë në mënyrë strukturore siç po e bëni sot. Kush është risia që solli ky në Shqipëri? Ky bandat nuk i la te oborri që politika të mund t’i përdorte, madje disa herë i kishte një përdorimshme bandat. Ky i mori i bëri partner, i futi në qeveri dhe i solli në parlament. Kjo është Shqipëria, vota shitet dhe prandaj kemi përfunduar. Kjo qeveri është e vendosur që ta shkatërrojë institucionin e votës dhe ta bëj të pashpresë këtë vend. Ndaj unë jam i shqetësuar dhe u ngrita për të folur jo për Dibrën. Sepse ne të gjithë e dinim se kushdo që do ta fitonte Dibrën do të puqeshim prap në këtë sallë. Dita e enjte është dita e xhumasë që kemi dhe takohemi bashkarisht. Ditën e enjte do takoheshim prap dhe ne 45 do ishim dhe ju 89 apo 87 çfarë rëndësie ka. Por kuësh është gjëja tjetër që ne duhet të lexojmë për Dibrën. Ky zotëria këtu mbrapa nëse do të ishte më inteligjent dhe në rast se do t’i priste puna nuk do ta bënte atë që bëri në Dibër. Pse? Sepse po të ishte pak më inteligjent do e linte që Dibra të votonte e lirë. Në mënyrë që ta vinte opozitën në gjumë, ta vinte edhe popullin në gjumë. Në këtë mënyrë së pari ne do të na hiqte argumentin që ne nuk i njohim zgjedhjet kur i humbim dhe i njohim vetëm kur i fitojmë. Ky nuk e bëri atë sepse nuk kishte kaq inteligjencë për ta bërë, por kishte edhe një problem tjetër që nuk i priste puna. Do thoni cila punë? Problemet dhe çështjet e hapura që ka me vëllain armik të cilit donte t’i jepte mesazhin që unë edhe pa ty ja dal dhe nuk kam nevojë për ty. Fakt është që ja arriti t’i jap mesazhin e duhur. Këto ishin dy arsyet që e shtynë kryeministrin e vendit që të bëj atë gabim që bëri në Dibër duke na hapur sytë të gjithëve dhe jo vetëm opozitës. Unë mendoj që shqiptarëve i hapi sytë që kështu nuk mund të vazhdohet.
Tani nuk dua ta personalizoj aspak. Unë edhe Edi Rama, për ata që nuk e dijnë jemi gati moshatarë. Me pak ditë lëvizim nga njëri-tjetri. Dhe sot jemi në dy skaje të një litari do thoshte Ndre Mjeda. Që do të thotë, njëri është më i madhi i të mëdhenjve ndërsa unë jam më i vogli i të vegjëlve. Më i vogli i pakicës me më të madhin e shumicës. Ai është njeriu që sot ka tokën, detin, ajrin, fushat, malet, kanabisin, avionët që rrëzohen dhe ata që nuk rrëzohen ndërsa unë nuk kam asgjë. Vetëm po jua them jo me krenari por me sensin e realizimit kemi një diferencë shumë të madhe ne me njëri-tjetrin. Unë jam njeri i lirë. Ai nuk është. Unë jam njeri i lirë, bëj zgjedhjet e mia, qofshin ato edhe të gabuara por i bëj sa herë që mendoj se ato janë të drejta. Bëj zgjedhjet e mia edhe për qëndruar, edhe për tu ngjitur, edhe për të zbritur, edhe për të ikur majtas edhe për të ikur djathtas. Ai kam bindjen që nuk e ka këtë mundësi. Nuk e bën dot as për të tjerët, por kam frikë se nuk e bën dot as për veten e tij. Sepse edhe nëse do që të iki mund të mos e lënë që të iki më. Sepse kështu përfundon çdo aleancë me krimin. Frika që unë kam për nesër e dini kush është? Sot e keni partner në qeveri krimin, jeni bashkëpronarë të pushtetit në të gjitha nivelet. Nesër kam frikë që do ta kemi krimin vetë në këtë karrige dhe ju të tjerët të gjithë shërbëtorë të krimit. E keni filluar ndryshe këtë histori. Historia ka qenë që krimi në rast se ka ndodhur ndonjë bashkëpunim sporadik, ka qenë shërbëtor i politikës dhe pastaj zinte strofullin e tij. Ndaj kjo është një situatë alarmante. Sigurisht unë nuk hyj te njerëzit e pashpresë. Unë them që i kemi të gjitha mundësitë të ngrëmë një uragan kombëtar sepse kjo është një fatkeqësi kombëtare. Malet me kanabis të mbuluar janë fatkeqësi kombëtare, vota që nuk ka më asnjë vlerë është fatkeqësi kombëtare, krimi që është në parlament dhe kudo është fatkeqësi kombëtare. Kjo luftohet vetëm me vullnet kombëtar dhe është në misionin e opozitës, Partisë Demokratike në rradhë të parë e cila është lokomotiva e saj që të udhëheq këtë uragan. Shqipëria ka nevojë për një shkundje, sepse nuk mund të vazhdohet më kështu. Shqipëria ka nevojë për një shkundje të madhe sepse nuk ka ansjë shenjë reflektimi nga pushteti sot. Meqë nuk e ndërrojmë dot njëri-tjetrin, as ne nuk na zgjidhni ju dhe as ne nuk ju zgjedhim ju po i drejtohem shefit të maxhorancës me një thirrje. Ndoshta ka ende kohë për të bërë diçka të mirë në jetën e tij për vendin e tij por edhe për vetveten. Çlirohu nga pengjet që fola më sipër se mbase ndihmon që të çlirohet edhe Shqipëria.
FJALA SOT NE KUVENDIN E SHQIPERISE