
“Sa herë që i duhet të flasë për investime, për punë të kryera e së fundi për Dibrën i duhet të shtojë pak dozën që të jetë i papërgjegjshëm për ato që thotë. Besoj e mbani mend në Parlament kur u betua se në Dibër s’ka asnjë gjethe kanabis. Por vetëm disa orë më vonë policia e tij tha se asgjësoi 4800 rrënjë, natyrisht që këto ishin të ndonjërit që s’ka paguar 30%, se asnjë rrënjë e shefit të Komisariatit Robert Aga nuk është prekur”, tha Paloka.
Sipas Palokës, askush nuk e mban mend kryetarin e ri të Dibrës, Muharrem Rama, të ketë thënë ndonjë fjalë për shkak se, siç thotë nënkryetari i PD-së, ai fliste me zërin e parave të korrupsionit.
“Sot na tha se fituan nga oratoria e kandidatit të tyre. A mban mend ndonjë njëri qoftë dhe një fjali që artikuloi Rama i vogël?! Natyrisht që jo se Rama i vogël fliste me zërin e parave të korrupsionit të Gjiknurit e Abazit që shkonin për të blerë vota. Fliste me zërin e trafikantëve të femrave, të drogës e kriminelëve që u mblodhën nën kushtrimin e Edi Ramës. Fliste me zërin e Robert Agës, gardianit të arave të hashashit, me zërin e Admir Trupjas, shefit të krimeve të rënda në Drejtorinë e Policisë Dibër, që u kap ditën e zgjedhjeve duke shpërndan lekë në këmbim të votave, me zërin e shefit të krimeve të Mirditës, Klajdi Osmani që u angazhua fuqimisht në fushatë elektorale për të shantazhuar votues e blerë vota”, vijoi Paloka.
Në fund, ai shtoi se “Dibra është turpi i Edi Ramës. Dibra ishte testi më i mirë se si Edi Rama mendon të përballet në 2017. Dibra ishte overdoza e tij”.