Pas disa raportimeve se Komisioni Europian thotë se Shqipëria nuk plotëson kushtet për të importuar mbetje, ka reaguar zyra e shtypit e delegacionit të BE në Shqipëri.
Në një prononcim për “Shqiptarja.com”, zyra e BE thotë se ligji i ri është sipas direktivave të BE.
Përmes përgjegjëses së zyrës për informimin dhe komunikimin, Dasara Zeneli tha se ligji i vitit 2013 nuk ishte në përputhje me parashikimet e rekomandimeve të Bashkimit Evropian dhe se përbënte një shqetësim në këtë drejtim.
Kryeministri Rama ka deklaruar se ligji i importit të mbetjeve është edhe një kërkesë e BE madje mungesa e këtij ligji është përmendur si një problem edhe në raport-progresin e vitit 2014. A ka patur një kërkesë nga BE për miratimin e këtij ligji nga Shqipëria?
Si vend kandidat dhe për shkak të ambicies së saj për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, Shqipëria duhet të afrohet me direktivat & rregulloret e BE-së.
Kjo nënkupton afrimin me rregulla të tilla si Direktiva 2008/98/EC e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit e datës 19 nëntor 2008 mbi mbetjet dhe shfuqizimin e disa Direktivave (Direktiva Kuadër e Mbetjeve), si dhe me Rregulloren (KE).
Nr. 1013/2006 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të datës 14 qershor 2006 mbi transportin e mbetjeve, që synon forcimin, thjeshtimin dhe specifikimin e procedurave për kontrollin e transportit të mbetjeve për të përmirësuar mbrojtjen e mjedisit.
Ajo përcakton një sistem kontrolli për lëvizjen e mbetjeve. Shkurt, këto rregulla lejojnë importin e mbetjeve mes Shteteve Anëtare të BE-së, ndërsa rrisin ndarjen në burim, riciklimin, mbylljen e vendgrumbullimeve të paligjshme të plehrave dhe ndërtimin e impianteve të mbetjeve.
Prandaj, për të qenë plotësisht në përputhje me direktivat dhe rregulloret e BE-së, Shqipëria duhet të jetë e hapur ndaj grumbullimit dhe trajtimit të mbetjeve në të njëjtën mënyrë siç është mes Shteteve Anëtare të BE-së.
Në vijim të një studimi të porositur nga BE-ja për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (WB6), këtë vit u krye një Vlerësim Kombëtar i Mbetjeve. Rekomandimet e këtij studimi përcaktojnë një plan veprimi mbi menaxhimin e mbetjeve që do ta ndihmojë Shqipërinë të bëjë përpara në sektorin e mbetjeve.
Cilat janë direktivat e BE-së për ligje të kësaj natyre? Ligji i miratuar a është në përputhje me direktivat e BE-së?
Zbatimi dhe respektimi i ligjit për mbetjet janë parësore, pavarësisht nga regjimi i importit të mbetjeve që zbatohet për momentin. Shqipëria duhet të zhvillojë infrastrukturën e nevojshme, si dhe institucionet dhe sistemet për monitorimin, kontrollin dhe raportimin e lëvizjeve të mbetjeve.
Vëmendje e veçantë i duhet kushtuar minimizimit të mbetjeve përmes parandalimit të mbetjeve, mbledhjes së mbetjeve duke i ndarë ato dhe riciklimit. Sigurimi i kapacitetit administrativ dhe teknik për ta bërë këtë është thelbësor, së bashku me investimet bazë.
Zgjidhja e çështjes së mbetjeve në Shqipëri është një problem serioz dhe kërkon vullnet teknik, financiar dhe politik, si dhe ndërgjegjësim publik dhe pjesëmarrje.
A ka qenë zyra e BE pjesë e konsultimeve të qeverisë për këtë ligj?
BE-ja në Shqipëri ka ndihmuar në përgatitjen e Ligjit për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve Nr. 10 463 të datës 22.9.2011. Në Raport Progresin e vitit 2014 për Shqipërinë thuhet se ndryshimet e tetorit 2013 të Ligjit mbi Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve nuk përputheshin me acquis dhe se menaxhimi i mbetjeve mbetej një shkak serioz për shqetësim.
Qeveria pretendon se laboratori i financuar nga BE është një garanci për kontrollin e të gjitha lëndëve që do të vijnë nga importi në mënyrë që të shmanget rreziku për importin e lëndëve të rrezikshme. Në dijeninë tuaj, çfarë kapacitetesh ka ky laborator dhe për çfarë është i specifikuar?
Që prej vitit 2013, BE-ja e ka mbështetur Laboratorin Kombëtar Doganor me pajisje, zhvillim kapacitetesh dhe afrim të plotë me standardet e BE-së, si certifikimi ISO lidhur me menaxhimin cilësor të testeve dhe kalibrimit. Mbështetja financiare arrin në 2.6 milionë Euro.
Shoqëria civile është mjaft skeptike për mungesën e infrastrukturës për zbatimin e një ligji të tillë në Shqipëri?
Që prej vitit 2008, BE-ja e ka mbështetur Agjencinë Kombëtare të Mjedisit me pajisje dhe ngritje kapacitetesh në fushat e cilësisë së ajrit dhe monitorimit të Direktivës kuadër për ujin. Mbështetja financiare arrin në 2.6 milionë Euro.
Sipas jush a i ka kapacitetet dhe infrastrukturën vendi ynë për të zbatuar një ligj të tillë?
Bashkimi Evropian është i gatshëm të diskutojë se si t’i sjellë legjislacionin dhe praktikat shqiptare më pranë standardeve të BE-së. Gjithashtu, BE-ja është e gatshme të sigurojë ndihmë teknike në këtë fushë, në kuadrin e një përqasjeje të strukturuar të sektorit.