Deputeti shkodran Tom Doshi kërkon nga Gjykata e Lartë që të detyrojë Prokurorinë të marrë dhe administrojë disa prova të kërkuara prej tij.
Ndër to ai kërkon edhe administrimin e kamerave të aeroportit të Hanoverit në Gjermani, ku pretendon se deputeti Spartak Braho është takuar me vëllan e Fatjon Skënderit.
Ky i fundit, është akuzuar nga deputeti si personi që ka ndërmjetësuar mes kreut të Kuvendit Ilir Meta dhe vrasësit Durim Bami.
Përveç kësaj prove, deputeti shkodran kërkon edhe ballafaqimin më ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Artan Didi dhe ministrin e brendshëm Sajmir Tahiri, kërkesa këto të rrëzuara nga Prokuroria.
Pasi doli nga gjykata, Doshi foli për takimin e tij me Gramoz Ruçin.
“Nesër mund të takohem edhe me Edi Ramën sepse jam deputet”.
“Ruçin e kam mik, nuk është burrë që e komandon kush. Unë e quaj shtylla e PS-së. Sot secili prej kolegëve të mi është i turpëruar për votimin që unë të arrestohem,” tha Doshi.
Duke folur për rritjen e LSI në këto zgjedhje, Doshi tha: “LSI ka vota të bleme, nuk është shqetësim për mua. Kudo ku ka dalë forcë e parë, ka blerë vota. Atje ku kontribuova unë, LSI mori më pak se në vitin 2013, e nxora forca të tretë.
Ilir Meta mori përsipër të fitonte Shkodrën, por Shkodra nuk e votoi LSI-në”.