“Aleanca mes Edi Ramës dhe Ilir Metës është për paratë dhe jo për parimet”, kështu shprehet deputetja demokrate Jozefina Topalli.
Në një intervistë për “GSH”, Jozefina Topalli analizon situatën politiko-ekonomike në vend, arsyet pse po ikin shqiptarët, nxit partinë e saj të dominojë dhe tregon se të djathtët nuk duhet të presin zgjedhjet e 2017-ës për të larguar qeverinë “Rama”.
Sipas saj, qeveria është tërësisht e dështuar dhe armiqësore me popullin e vet.
“Në gjykimin tim, vendi sot po kalon një moment të vështirë. Nuk ka ndodhur kurrë në këto dy dekada e gjysmë demokraci që një qeveri të jetë kaq armiqësore me qytetarët që e kanë zgjedhur.
Realiteti kalon kësaj radhe çdo imagjinatë. Kush e mendonte para disa vitesh se në Kuvend, në atë që konsiderohet shtëpia e shqiptarëve, sovrani të përfaqësohej nga njerëz me rekorde kriminale për vrasje, për trafik të qenieve njerëzore, për trafik droge, për grabitje?! Kjo nuk ka ndodhur në asnjë kohë, në asnjë vend demokratik!
Sot ky është realitet. Kjo qeveri është ndërtuar si model dhe inkurajim për kriminelët dhe “të fortët” me para për të aspiruar të njëjtat pozita pushteti, por pse jo, dhe më shumë”, shprehet Topalli.
Pyetjes se pse opozita po rri në heshtje Topalli iu përgjigj duke thënë se “Opozita nuk ka qëndruar në heshtje. Sapo thashë se në Parlament disa deputetë kanë rrezikuar dhe veten e tyre për të thënë ca të vërteta të hidhura e të frikshme me emër e mbiemër. Ata u kanë hequr frikën edhe të tjerëve që pas disa kohësh të flisnin me emër e mbiemër.
Në këtë rast opozita është bërë edhe zëri i disa deputetëve socialistë, që nuk kanë asgjë të përbashkët me krimin. Beteja me mafien është e vështirë kudo. Por kur mafiozi bëhet “onorevole” dhe miliarderi bëhet kuçedër me karrige pushteti, gjërat komplikohen tepër, prandaj dhe detyra e opozitës bëhet edhe më jetike.
Ajo që unë kam thënë dhe kam kërkuar është një reagim më i shpejtë, më dinamik, më konkret nga ana e Partisë Demokratike. Në opozitë nuk duhet të ketë asnjë ditë pushim. Aq më pak kur kemi një qeveri që punon kundër qytetarëve dhe vendit të vet”.
Lidhur me aleancën qeverisëse Topalli thotë se ajo nuk është aspak parimore.
“Aleanca e Edi Ramës dhe Ilir Metës nuk është parimore. Ajo është lidhje pushteti dhe paraje. Dhe si e tillë është pa asnjë bazë morali, programi, ideologjie apo interesi publik.
Kam dëgjuar gjithë verën për raportet e tyre, por mua nuk më intereson presioni që bën njëri apo pazari që ofron tjetri. Unë nuk hyj në atë grup njerëzish që bën llogari dhe skema mbi raportet e tyre.
Kur je në opozitë, kjo nuk të çon përpara. Opozita ka për mision të bëjë çdo gjë për të ndalur revanshin antidemokratik të keqqeverisjes, të dëshmojë autoritet moral, të jetë e besueshme dhe të ofrojë shpresë.
Nëse ne si opozitë vendosim çdo ditë dhe çdo orë interesin publik para çdo llogarie të vogël politike dhe nëse do t’u prijmë betejave me guxim dhe vendosmëri, atëherë opozita do të jetë zëdhënësja e shumicës së heshtur të shqiptarëve të vuajtur. Atëherë, opozita do të jetë gati për të drejtuar revolucionin demokratik paqësor dhe qeveria do të dridhet nga frika.”, përfundoi Topalli.