Socialistët kanë nisur organizimin e partisë së tyre, duke e ndarë Shqipërinë në gjashtë rajone, nga Jugu në Veri.
Përgjysmimi i rajoneve ndjek bashkimin mekanik të dy rajoneve ekzistuese fqinje, në gjithë vendin.
Sot në Vlorë, kryeministri Rama mblodhi deputetët e Vlorës dhe Gjirokastrës, si dhe drejtuesit lokalë të partisë dhe pushtetit në bashki.
Gjatë takimit, ai u prezantoi skemën e re organizative të PS dhe u komunikoi se bashkimi mekanik i Qarkut të Vlorës me atë të Gjirokastrës, do të formojë rajonin e Jugut, një njësi e re
organizative e Partisë Socialiste.
Në krye të këtij Rajoni u caktua Koço Kokëdhima, deputet i Vlorës.
Pas komunikimit të Ramës, fjalën e mori Kokdhima, i cili e falenderoi për përgjegjësinë e re dhe kërkoi që dhe ministrat e atij rajoni, të raportojnë para tij.
Pra, të shtohet si kompetencë e tij dhe llogaridhënia e qeverisë për rajonin.
Mbledhja vazhdoi pastaj me debate për problemet e bashkive të jugut dhe organizimit të partisë.
Partia Socialiste do ta shtrijë këtë skemë organizimi në gjithë vendin.
Blendi Klosi do drejtojë qarqet Fier Lushnjë, Saimir Tahiri qarqet Tiranë Durrës, Taulant Balla qarqet Elbasan-Korçë, Ditmir Bushati qarqet Kukës Dibër.
Emërimi i Kokëdhimës është pritur në heshtje nga deputetët e tjerë të dy qarqeve, me të cilët duket se ky problem nuk ishte diskutuar më parë./Tema